Një person është arrestuar pasi i janë gjetur disa armë, municion, pajisje ushtarake e gjëra tjera të ndaluara në shtëpinë e tij në Leposaviq.
Sipas një njoftimit të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore për të ofruar rend e siguri, në pjesën veriore të vendit, konkretisht në pjesën malore të një fshati të Leposaviqit, kanë hasur një person të dyshuar me një pushkë gjuetie me municion.
Tutje thuhet se nën dyshimin e bazuar se personi i dyshuar R.M., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) posedon edhe armë tjera, është kontrolluar shtëpia e tij.
“Gjatë kontrollit janë gjetur edhe: një armë gjysmë-automatike, një pushkë 8.75mm, një pushkë ajrore, fishekë kalibrash të ndryshëm, disa thika e një xhaketë me pajisje tjera ushtarake”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, për rastin është njoftuar prokurori, me akt-vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Telegrafi/