Në Shkollën Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, në një klasë është ndërprerë mësimi për një javë.
Shkak i ndërprerjes së mësimit ishte alivanosja e vajzave të kësaj klase, dukuri e cila ka filluar javën e kaluar.
Deri tani 10 vajza janë ankuar t’u ketë rënë të fikët nga disa herë.
“Pas orës së parë i ka ndodhur një vajzës, më pas tri vajza janë alivanosur. Të shtunën më ka ndodhur mua alivanosja në shtëpi dhe dje në klasë iu ka ndodhur katër shoqevë të mija”, ka thënë njëra nga vajzat, njofton Klan Kosova.
Kjo i ka shqetësuar shumë prindërit që nuk po e dinë shkakun e alivanosjeve.
“Është shqetësuese për mua si prind edhe simptomat sipas kësaj që po i shoh janë sikur të viteve të ’90-ta”, ka thënë një prind.
Të martën në spitalin e Mitrovicës është paraqitur një rast i tillë i njërës nga nxënëset.
Dkoktorët kanë thënë se rezultatet e analizave laboratorike nuk janë alarmuese.
“Më shumë janë raste të shqetësuara që nuk ka elemente të helmimeve me ndonjë substancë të panjohur. Nuk ka shenja të sigurta”, ka thënë njëri nga doktorët.
Drejtori i kësaj shkolle ka mohuar ta ketë fajin objekti.
“Po të mos ishte klasa si duhet ne do t’ia lënim fajin kushteve që në atë klasë nuk janë mirë. Por, kjo është kalsë lëvizëse. Ka dy ditë praktikë, një ditë në kabinet”, ka thënë ai.
Policia ka kontrolluar klasën por nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë. Ditëve në vijim nxënësve do t’u bëhen analiza shtesë që të vërtetohet nëse janë helmuar me lëndë toksike.