Për shkak të mungesës së kuorumit, ku mungonin deputetët e opozitës, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se vazhdimi i kësaj seancë do të mbahet javën e ardhshme, ku do të miratohen projektligjet, të cilat nuk arritën të votohen sot për shkak të mungesës kuorumit për votim.
Ndërsa, paralajmëroi se do të mblidhet Kryesia e Kuvendit për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme më 26 dhjetor, me kërkesë të LVV-së dhe LDK-së, për të diskutuar për draft-marrëveshjen e propozuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë.
“Vazhdimi i seancave për shkak të mungesë së kuorumit, do të ndodhë në momentin dhe javën e ardhshme do të kemi seancë. Paskan bërë këta kolegë deputetë 40 nënshkrime qenkan, dhashë Zoti janë tamam, kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme më datë 26 dhjetor në orën 10:00, sa i përket pozicionit të shtetit tonë dialogun me Serbinë. Kjo vetëm për njoftime, edhe një herë ju lutem, kjo ke për korrektësi, e marrim seriozisht, pastaj unë e thërras mbledhjen e Kryesisë në momentin e caktuar, keni parasysh e mërkurë është dita 26 dhjetor 2018 në orën 10:00. Në shumicën absolute të rasteve ne kemi respektuar kërkesën e 40 deputetëve”, theksoi Veseli.
Ndërsa, sot në këtë seancë është votuar në parim projektbuxheti për vitin 2019, ndërsa projektligjet tjera, të cilat ishin në rend dite, nuk u arrit të votohen.