Përzgjedhësi i Suedise, Janne Andersson, ka thënë se Zlatan Ibrahimovic mund të konsiderohet për të marrë ftesë në ndeshjet kualifikuese të ‘Euro 2024’ ndaj Belgjikës dhe Azerbajxhanit.
Këto takime do të zhvillohen saktësisht një vit pas paraqitjes së fundit të 41 vjeçarit për ekipin përfaqësues (në kualifikimet për Kampionatin Botëror ndaj Polonisë më 19 mars 2022).
Pas ‘Euro 2016’, Ibra e kishte deklaruar pensionimin nga Suedia, mirëpo pas mungesës pesëvjeçare, ai u kthye në vitin 2021 dhe sërish në vitin 2022.
I pyetur për mundësinë e një rikthimi tjetër të Zlatan në përfaqësuese, Andersson deklaroi: “Do ta shihni të mërkurën nëse do të jetë ose jo”.
“Tashmë e kam thënë se Zlatan është në gjendje të mirë dhe i shëndetshëm, edhe pse nuk mund të jetë në dispozicion për të startuar, duke u nisur nga ndikimi që nga ndeshje dhe për atë që ka treguar në aspekt të përkushtimit dhe lidershipit, mendoj se mund të japë akoma shumë”.
“Paksa ngjashëm sikurse te Milani, edhe nëse luan pak, mendoj se ai ofron shumë”, ka theksuar tutje trajneri.
Me 62 gola të realizuar në 121 paraqitje, Ibrahimovic është golashënuesi më i mirë në histori të Suedisë. /Telegrafi/