Site icon Telegrafi

Në moshën 41-vjeçare, Cisse dëshiron të luajë përsëri futboll: Më duhen katër gola, do të luaj falas

Sulmuesi francez Djibril Cisse përfundoi karrierën e tij në vitin 2015 për shkak të një dëmtimi të rëndë, por më pas u kthye dy vjet më vonë dhe luajti për klubin zviceran Yverdon dhe atë italian Vicenza.

Aktualisht ai po përpiqet të nis rrugën e tij në skenën muzikore si DJ, por ende ëndërron të kthehet në fusha në moshën 41-vjeçare.

“Unë kam katër gola më pak se 100 në Francë. Nëse ka një klub që është i interesuar, më njoftoni. Jam gati të luaj falas. Ndjej sikur nuk e kam mbaruar punën, më mungojnë ato katër gola. E di që mund të mos jetë vendimtare, por jetoj me të çdo ditë”.

“Unë flas për futbollin me njerëzit dhe më pas kur dikush më pyet nëse më kujtohet një gol, kur dëgjoj fjalën gol, atëherë më kujtohet se më ka mbetur katër më pak se 100. Tingëllon çmenduri, por është obsesioni im”, ka thënë Cisse.

Në karrierën e tij, Cisse luajti për Auxerre, Liverpool, Marseille, Sunderland, Panathinaikos, Lazio, QPR, Al Gharafa, Kuban, Bastia, Saint-Pierroise, Yverdon dhe Vicenza.

Ai shënoi nëntë gola në 41 ndeshje për kombëtaren franceze. /Telegrafi/

Exit mobile version