Telegrafi

“Në momentin që aeroplani u ngrit, lotët më shpëtuan nga sytë” – Ozil zbulon se çfarë e largoi nga Real Madridi

Mesut Ozil ka zbuluar se ai u detyrua të largohej nga Real Madridi pas konfliktit mes presidentit të klubit Florentino Perez dhe babait të tij.

Ish-reprezentuesi gjerman njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli profesionist në fillim të kësaj jave.

Ai gëzoi një karrierë të mbushur me trofe pasi doli në skenë me Schalken në vitin 2006.

Lexo po ashtu Mesut Ozil pensionohet nga futbolli në moshën 34-vjeçare

Dhe paraqitjet e tij mbresëlënëse në Kupën e Botës të vitit 2010 i dhanë atij një transferim prej 15 milionë eurosh nga Werder Bremen në Real Madrid.

Ylli 34-vjeçar fitoi disa trofe me Los Blancos, duke përfshirë një titull La Liga, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë Spanjolle.

Por, mesfushori së fundmi pranoi se u detyrua të largohej nga Santiago Bernabeu pasi agjenti dhe babai i tij u grindën me presidentin e Real Madridit, Perez.

Ai tha për gazetën spanjolle Marca: “Isha shumë i trishtuar kur u largova nga Madridi. Më kujtohet në aeroport”.

“Kam kaluar një kohë të mirë për tre vjet në Real Madrid dhe në këtë qytet. Isha shumë i lumtur. Por, gjërat ndodhën papritur në fillim të atij sezoni, nuk kisha më shumë minuta lojë dhe lindi një konflikt mes zotit Florentino Perez, babait dhe agjentit tim”.

“Duhej të kërkonim një klub të ri. Ishte e vështirë për mua. Në momentin që aeroplani u ngrit, lotët më shpëtuan nga sytë. Ishte momenti kur kuptova se kishte mbaruar”.

Lexo po ashtu Ozil zbulon faktorin vendimtar në zgjedhjen e Real Madridit para Barcelonës

Ai shtoi: “Në atë kohë më dukej mirë, pasi pas konfliktit mes babait tim dhe zotit Perez isha i shqetësuar se nuk do të kisha më minuta lojë nëse nuk do të largohesha”.

“Kështu që është e vështirë të thuhet. Mirëpo, sigurisht, do të doja që ne të mund ta kishim trajtuar situatën në atë kohë ndryshe”, ka potencuar më tej Ozili.

Pasi u largua nga Real Madridi, Ozil iu bashkua Arsenalit në një transferim prej 45 milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar veror të vitit 2013.

Ai fitoi katër FA Cup me Gunners dhe ishte një nga mesfushorët më të mirë të Ligës Premier.

Por, pasi nuk ishte më në planet e Artetas, ai iu bashkua Fenerbahçes në një transferim të lirë në janar 2021 – gjashtë muaj përpara se kontrata e tij të skadonte.

Ai nuk arriti të arrijë të njëjtat lartësi që bëri gjatë kohës së tij në Ligën Premier dhe kontrata e tij u ndërpre 18 muaj më vonë si rezultat.

Verën e kaluar ai nënshkroi për Istanbul Basaksehir në një tjetër transferim të lirë, por ai ndërpreu lidhjet me klubin në fillim të kësaj jave përpara se të shpallte publikisht pensionimin e tij. /Telegrafi/