Mitrovica është tronditur sot nga dy lajme të kobshme, nga të cilat u mësua se u mbytën në mënyrë aksidentale dy persona, një nga ta e mitur.
Bëhet fjalë për një 4 vjeçare që u mbyt nga dyert e shtëpisë dhe një djalë 23 vjeç që u bë viktimë e traktorit që ishte duke vozitur.
Rasti i parë ka ndodhur sot pasdite në fshatin Zhabarë, ndërkohë që 23 vjeçari u mbyt nga traktori mëngjesin e sotëm në fshatin Rashan.
Policia e Rajonit të Mitrovicës i ka konfirmuar të dyja rastet, dhe i ka cilësuar që të dy si vdekje aksidentale.
Një rast ngjashëm i kobshëm ka tronditur dje edhe Podujevën, ku një person tjetër gjeti vdekjen teksa ngiste traktorin.
Ndryshe, Policia ka përsëritur mesazhin për kujdes në trafik, i cili ka dalë si shkaktari kryesor i vdekjeve në Kosovë për këtë vit.