Komuna e Mitrovicës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës të Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës.
Kjo mbledhje u drejtua nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka.
“Bahtiri tha se pas lehtësimit të disa nga masave të vendosura si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, nga nesër me datë 19 maj 2020 do të filloj funksionimi i komunës me kapacitete të plota, dhe të gjithë zyrtarët komunal duhet të vazhdojnë punën intensivisht, me përjashtim të atyre mbi moshën 60 vjeç dhe që kanë probleme shëndetësore.
Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, shpalosi gjendjen aktuale me virusin COVID-19 në Mitrovicë, me ç’ rast potencoi se deri më tani janë gjithsej 19 raste pozitive me këtë virus, 2 prej tyre janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK, ndërsa 17 tjerë janë në vetizolim në shtëpitë e tyre, dhe të gjithë kanë gjendje të mirë shëndetësore dhe stabile. Po ashtu drejtoresha Barani theksoi se në bashkëpunim me drejtorinë për Mirëqenie Sociale këtyre rasteve u kanë dalë në ndihmë përmes pakove ushqimore dhe atyre mjekësore”, thuhet në njoftim.
Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, i njoftoi bordin e drejtorëve lidhur me Raportin Financiar për tre mujorin e parë të vitit 2020, për të cilin tha se planifikimi i të hyrave për Janar- Mars 2020 ka qenë 480,665.80, ndërsa inkasimi 481,757.86, që do të thotë se realizimi është arritur 100,23%. Gjithashtu drejtori Gashi përmendi edhe vendimin nga Ministria e Financave dhe Transfereve për mos llogaritjen e gjobave dhe dënimeve, edhe në raste të vonesave në Tatimin në Pronë, vendim ky i cili është i publikuar edhe në ueb faqe të komunës.
Në fund drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, tha se pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për fazën e dytë të lehtësimit të masave, nga sot janë hapur Muzeu, Biblioteka, Qendra e Kulturës, Galeria e Arteve, ndërsa Teatri nga 1 qershori. /Telegrafi/