Site icon Telegrafi

Në mbrojtje të flamurit, përkujtohet 21-vjetori i ngjarjeve në Gostivar (Video)

Qytetarët e Maqedonisë dhe në veçanti ata të Gostivarit kujtojnë sot ngjarjet e ndodhura 21 vjet më parë në Gostivar, ku pas heqjes së flamurit nga godina e Komunës, policia vrau tre shqiptarë, plagosi dhe keqtrajtoi qindra të tjerë, si dhe arrestoi 30 –të shqiptarë.

21 vjet më parë qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara godinës komunale për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare.

Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e kufizuar të flamujve të nacionaliteteve, me të cilin flamuri shqiptar lejohej të përdorej vetëm në objekte dhe manifestime private.

Ky vendim i kuvendit u materializua pak orë pas aprovimit të tij. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes së flamurit në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, nga ana e forcave speciale të policisë maqedonase. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani. Nazmi Saliu nga fshati Turçan i Vogël, dr.Shpend Iseini nga fshati Forinë dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll ishin tre të rinjtë që u vranë nga forcat speciale.

Me 9 korrik 1997 kur ndodhi intervenimi brutal, qeveria e Maqedonisë shpalli devalvimin e denarit për 17%, devalvim ky që u synua te mbulohet me intervenimin brutal policor mbi mijëra qytetarë dhe protestues paqësor të Gostivarit. Ngjarjet e vitit 1997 u mbyllën me raportin e komisionit parlamentar se “policia përdori dhunën në pajtim me ligjin”.

Gjykata Themelore e Gostivarit, u shqiptoi dënime drakonike krerëve komunalë të asaj kohe, kryetari Rufi Osmani u dënua me 13,8 vjet burg dhe kryesuesi i Këshillit, Refik Dauti, me 7 vjet burg. /Shenja/

https://www.youtube.com/watch?v=HskQFIhFOKk

Exit mobile version