Nga: Ndue Dedaj
Është një nga kullat muzeale të Mirditës, monument kulture prej një gjysmë shekulli. Godinë trekatëshe, mjaft pozante për nga pamja dhe arkitektura afër kishës së Shën Kollit.
E pati ndërtuar Ndoc Ndreca në vitin 1883, kur shërbente në xhandarmërinë e Shkodrës dhe vinte vetëm tri herë në vit në shtëpi. Gurët qenë marrë në Shtrungaj dhe gdhendur nga mjeshtër të zotët, kurse dera e hekurt e bërë në kovaçhane, me kunja farke si i thonë, qe mbartur në kurriz për ditë të tëra nga katër burra – nga Shkodra në Spaç, pasi nuk mund të mbartej mbi kalë. Kullat si e Zef Ndocit kishin reliktet dhe rekuizitën e tyre të çuditshme, nga sendet artizanale tek ato të mbijetesës dhe luftës për t’u mbrojtur, ndër të cilat dhe “kurtha e hasmit” që gjendet në muzeun e Rrëshenit. Edhe ajo ishte bërë në Shkodër, vihej në shqimë të derës, me ra hasmi brenda nëse vinte për të sulmuar, nga e cila nuk mund të dilte më.
Në Kodër Spaç, në një “sofër” vend, është një lagje e tërë kullash, secila më e hijshme se tjetra, tash jo pak prej tyre të kthyera në rrënoja. Kur mendon se herët këtu kanë qenë 80 shtëpi dhe shtatë kishë, e beson se vërtetë ka pasur një “bashkëjetesë” banorësh, jo me kullat majë me majë, por ngjit shtëpitë njëra me tjetrën. Ka edhe gojëdhënëza për këtë, jo nga ato që macet kalonin çati mbi çati, si në Berat, por disi më ndryshe. Thonë se një nuse e sapoardhur doli për të mbushur ujë një mbrëmje te kroi aty afër dhe kur u kthye, padashur hyri në derën e komshiut dhe kur pa se rreth votrës nuk ishin njerëzit e saj, bëri mbrapsht. Aq afër ishin shtëpitë. Si të thuash, në një oborr.
Por, nuk është statusi i kësaj kulle, e as i krejt lagjes, në lëmin e trashëgimisë popullore që na ka sjellë këtu, pasi me këtë merren të tjerët, por historia e saj. Zef Ndoci ishte njëri ndër 24 krerët e Mirditës, njeri i shkolluar në Vjenë, mësues, politikan, përmendur nga Nopça e të tjerë. Teksa kemi ardhë në kullën e tij, na vjen ndërmend përshkrimi i një publicisti serb, më 1920, që Zef Ndocin e përshkruan si një njeri që dallonte nga të tjerët në veshje, sjellje dhe Kuvend. “Ai duhet të ketë një kokë të kthjellët dhe të veçantë, pasi është një ndër shqiptarët e rrallë që ka parë botën me sy dhe ka qenë gjithë kohën në kontakt me të huaj. Gjatë një takimi që pata rastin të jem i pranishëm, ai fliste më së shumti, me një zë të këndshëm e me një mënyrë të hareshme, qeshte dhe kur duhej bëhej serioz. Të gjithëve na bënte përshtypje paraqitja e tij, e cila ishte e një zotërie i cili aq bukur përshtatej në mes të kësaj gremine dhe egërsie (ballkanike) e që koka e tij inteligjente kurrë nuk do të më shuhet nga kujtimet e mija”.
Ende na mungon një profil i shkruar i këtij personaliteti mirditas. Spaçi kishte pasur dhe burra të tjerë të përmendur, sidomos në kohën e Pavarësisë, si Gjok Dod Lleshi, i fotografuar në Shkodër nga “Marubi”, si gjithë prijësit e kryengritjeve, bajrakëve, krahinave veriore. Nga ky vend rridhnin dhe Dom Prend Suli dhe Dom Nikollë Kimza etj., por edhe spaçasit e vendosur në Kosovë, bijë e të cilëve ishte aktorja e teatrit të Prishtinës, Leze Spaçi.
Nga Zef Ndoci i parë te ky i sotmi, i nipi 81-vjeçar, janë njëqind vite në mes. I themi se thjesht duam të bëjmë ca fotografi, pasi pritet të vijnë ca turistë të huaj në prill, por Zef Ndoci na zë për dore e na fut brenda. Mikpritja si tek ai. Si sot e treqind vjet. Nuk mund të dalësh pa pirë një kupë venë dhe pa ngrënë drekë.
Bash për emrin dhe nderin e kësaj dere kemi shkelur këtu para tridhjetë vitesh, në vitin 1994. Kulla asokohe përjetonte një nga ngjarjet e saj më të gëzueshme, pasi vinin nga Gjermania të zotët e shtëpisë, dy bijtë e Zef Ndocit, vëllezërit Ndoi dhe Gjoni që kishin shkuar në emigracion politik që në fillim të viteve ‘50. Ndue Zef Ndoci, aty në votrën e tij fisnike, na rrëfente Mirditën e gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshe nga sa ishte thënë e shkruar deri atëherë nga komunistët. Më kujtohet se atëherë shtëpia ishte plot, kurse sot i gjithë Kodër-Spaçi ka mbetur në tre veta: Zefi më të shoqen, Prenën dhe ndonjë tjetër. “40 veta të kësaj shtëpie, i madh e i vogël, janë jashtë vendit”, thotë Zefi, ndër ta edhe tre fëmijët e tij, djali dhe dy vajzat. Kjo tashmë është drama e përgjithshme e shqiptarëve të maleve.
Megjithatë, Zefi nuk rresht së punuari asnjë dekik; iu shërben dyqind rrënjëve arra që ka mbjellë, pa harruar dhe pemën e larit në oborr; ruan një tufë të vogël bagëtish, mirëmban vetë rrugën prej pesë kilometrash dhe vetura e tij nuk pengohet dimër as verë. Ka hapur në mal dhe dy rezervuarë, një për ujë të pijshëm dhe një për vaditje. Kujdeset për varrezat, nuk do që të humbasë asnjë qoshe e kishës së dikurshme që tash është gërmadhë. Është i ndjeshëm ndaj trashëgimisë dhe ka një arsye më shumë. Boll ka luajtur fati me kullën e tij. Për pesë vjet kulla i qe marrë nga shteti monist për të strehuar aty gjeologët sovjetikë në vitet 1956- 1961. I kujton edhe sot emrat e tyre, si Borisi më të cilin luante futboll etj. “Atyre u vinte buka e bardhë nga Tirana, kurse neve na kaluan në kasollen e bagëtive. Mbasi ikën gjeologët rusë, kullën vazhduan ta përdornin si magazinë të NFP-së. Kaluan 15 vjet e kulla nuk ishte e jona, derisa gjyshja i doli përpara në rrugë sekretarit të parë Jorgji Shuli e ai dha urdhër që të na kthehej kulla ne të zotëve”.
Këtu, bri Munellës, sado larg të duket e në kohë izolimi, njerëzit vinin nga bota dhe shkonin drejt saj me hir e pa hir. Xhevdet Hoxha ishte një mësues shkodran që flinte në ishqelën e priftit. Kur një ditë ai u arratis. Zefi thotë se bashkë me Prenën e kanë vizituar në Amerikë mikun e hershëm. Kanë kaluar tridhjetë e sa vjet dhe bisedat për të kaluarën nuk kanë të sosur, athua se çdo gjë ka ndodhur dje. Aq e rëndë kishte qenë “çizmja” komuniste që kishte rënë mbi këtë popull të salvuar. Zefi thotë se kishte plot njerëz që na kishin halë në sy, siç kishim dhe ndonjë shoq kuadër Partie këtu afër, me disa komunistë në shtëpi që kurrë nuk na e përmendën biografinë. “Unë bëra dy vite shkollë në Rrëshen, rrija tek i afërmi im Luigj Ndoja, mekanik në SMT, por shpejt më ‘zbuluan’ e më përjashtuan nga shkolla” dhe nga qyteti. U kthye në fshat shpresëhumbur për të ardhme. I kishte mbetur vetëm kali për ta reshtur për tridhjetë vjet. A nuk ishte ai i biri i një të arratisuri politik? A nuk ishte shtëpi e parë?
Zefi kujton se më 1963 në Spaç erdhi Mehmet Shehu. Drejtor i minierës asokohe ishte Pal Marka Deda i mirënjohur. Kryeministri i tha e paske emrin me tre … emra!? Kështu e kemi ne mirditasit, ia ktheu Pali, që nuk kishte kurrfarë kompleksi ndaj njerëzve të pushtetshëm, çka edhe e çoi një ditë prapa hekurave të burgut, me gjithë kontributin e shquar në industrinë minerare, në Bulqizë etj. Në këto gryka po projektohej kampi i të burgosurve politikë …
Në Kodër Spaç është një diell që nuk ngroh askund më mirë se këtu. Na duket sikur e “shijojmë” kësaj mesdite me ca re të bardha që sikur e pikturojnë qiellin. Nika dhe Juli, me të cilët kemi ardhur e që merren me turizmin në Bashkinë Mirditë, kanë lëshuar dronin që vërtitet mbi kryet tonë si një “shpend” krahlehtë që sheh atje ku nuk mund të shohim ne.
Tej luginës së Fanit të Vogël dhe Udhës së Kombit është Mali i Shenjtë i Oroshit, i “çshenjtëruar” nga njeriu i mbrapshtë i tranzicionit që përpiqet të rimëkëmbët nën këtë diell fundmarsi …