Site icon Telegrafi

​Në Kosovë ka rritje të kancerit të lukthit

Format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në Kosovë janë kanceri i gjirit te femrat dhe kanceri i mushkërive te meshkujt. Kurse, pas këtyre dominojnë kanceri i zorrës së trashë dhe kanceri i organeve gjenitale te femrat. Megjithatë, viteve të fundit në Kosovë është në rritje edhe kanceri në lukth.

Këto lloje dhe sëmundjet tjera kanceroze të tjera shkaktojnë problemet më të mëdha dhe kanë koston të lartë të mjekimit dhe të trajtimit.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi në një intervistë për KosovaPress, është shprehur se kanceri i gjirit te femrat është një ndër format më të shpeshta të përhapura si sëmundje malinje në Kosovë, ndërsa te meshkujt dominon kanceri i mushkërive.

Lexo po ashtu Kanceri i lukthit shfaqet heshtas, këto janë simptomat: Nuk bën t’i injoroni!

“Format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në Kosovë, si dhe në vendet e tjera të rajonit, në Evropë, dominon kanceri i gjirit tek femrat. Kurse tek meshkujt ai i mushkërive. Menjëherë pas këtyre dy sëmundjeve, dominojnë kanceri i zorrës së trashë dhe kanceri i organeve gjenitale tek femrat. Në Kosovë, viteve të fundit, kemi një rritje të kancerit të lukthit, pankreasit tek meshkujt dhe të testiseve. Tek femrat edhe kanceret e organeve tjera dhe përveç organeve gjenitale ka edhe kancer të lëkurës, hyjnë në grupin e sëmundjeve bashkë me sëmundjet e zemrës. Shkaktojnë problemet më të mëdha dhe kanë koston më të lartë edhe të mjekimit edhe të trajtimit. Për këtë arsye duhet të kushtohet kujdes shumë të madh, mënyrës së diagnostifikimit dhe kohës. Kjo pasi që diagnostifikimi i hershëm i këtyre sëmundjeve do të thotë një trajtim i mirë apo formë më e lehtë e mjekimit dhe kosto më e ulët e trajtimit të tyre” tha Kurtishi.

Ai gjithashtu përveç që tregoi se këto sëmundje nuk krijohen aty për aty, shpjegoi zhvillimin e saj te gratë shtatzëna dhe asaj se si munden këto gratë t’i dalin ballë sëmundjeve malinje.

“Realisht, meqenëse sëmundjet kanceroze nuk krijohen aty për aty por kanë kohë për t’u krijuar, mund të jetë shtatzënia, sidomos nëse është i lidhur me organet gjenitale, me vezoret ose me gji, që në fazën e prodhimit të tepërt të hormonet tek nëna në shtatzëni, sëmundja zhvillohet më shumë. Hormonet mund të jenë ato të cilën bien në pah, ose bëjnë një hov më të vrullshëm kur nëna është shtatzënë, dhe lajmërohet sëmundja e gjirit…Tek femrat të cilat janë shtatzëna dhe janë me kancer, është monitorim më i gjerë, jo vetëm tek gjinekologu por edhe nëse ka sëmundje të tjera përcjellëse, qoftë tek ndonjë kardiologë, kirurgë apo onkologu, mirëpo duhet të bëhet një vendim i veçantë se a duhet femra të ndërpresë shtatzëninë, dhe kjo varet edhe nga mosha që ka femra, muajin e shtatzënisë, dhe të shohim se a mund ta përfundojë këtë lindje që pastaj të merret në mjekim onkologjikë. Kjo gjithmonë bëhet duke marrë një vendim të përbashkët” tha Kurtishi.

Ndërsa i pyetur se sa gra shtatzëna kanë frekuentuar onkologjinë për shërim të sëmundjes së kancerit, Kurtishi tha se në 5 vitet e fundit ka pasur gjithsejtë 4-5 raste të tilla, të cilat ia kanë dal dalë me sukses shërimin pa dëmtuar foshnjën apo pa pasur nevojë ta ndërpresë shtatzëninë.

“Realisht, nëna shtatzëna me sëmundje malinje kemi shumë rrallë, pasi që ne ndoshta për këto 5 vitet e fundit kemi pasur 4-5 raste dhe ato femra të cilat dy nga to kanë qenë me kancer në gji. Ne iu kemi rekomanduar në konsulte me gjinekologun, që varësisht nga muaji i shtatzënisë që ka qenë ose të vazhdojë shtatzëninë edhe një muaj apo dy nëse ka mundësi të lind, ose të ndërpresë shtatzëninë dhe pastaj ka vazhduar mjekimin në onkologji. Fati i mirë unë kam pasur dy raste, dhe që në të dyja rastet nënat kanë qenë në muajt e fundit të shtatzënisë, kanë lindur, dhe 2-3 javë pas lindjes ne kemi vazhduar mjekimin në onkologji dhe ato nëna janë gjallë, mirë dhe vazhdojnë të rrisin fëmijët e tyre”, u shpreh Kurtishi.

Kujtojmë që në Kosovë gjatë vitit 2020 u regjistruan mbi 1.300 raste të reja me kancer, ndërsa në botë nga kanceri vdesin rreth 10 milionë persona brenda një viti, duke e bërë atë si shkakun e dytë më të shpeshtë të vdekjeve në mbarë botën. 70 për qind e rasteve të vdekjes nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare.

Exit mobile version