Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë të hospitalizuar 72 pacientë me COVID-19, prej tyre katër në gjendje të rënduar, kurse dy janë në gjendje kritike.
Sipas njoftimit nga Klinika Infektive e QKUK, në këtë klinikë të hospitalizuar 82 pacientë. Prej tyre, të sëmurë me COVID-19 janë gjithsej 72 pacientë.
“Gjithsej 31 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve 4 raste në gjendje më të rënduar janë duke u trajtuar në repartin e Mjekimit Intensiv, dy prej tyre janë në gjendje kritike”, thuhet në njoftimin e QKUK, përcjell Telegrafi.
Ndryshe sot në Repartin e Mjekimit Intensiv ka ndërruar jetë pacienti A. G. 80 vjeçar nga Prishtina, i cili përpos infeksionit me COVID -19 kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Klinika është në pritje të rezultateve për tetë raste si dhe nga klinika lirohen dy pacientë të cilët kanë rezultuar negativ në testimet për COVID-19.
Sipas të dhënave të fundit, autoritetet e Kosovës deri më tani kanë regjistruar 1,916 persona të prekur me sëmundjen, COVID-19, që shkakton coronavirusi i ri.
Prej tyre, 973 persona janë shëruar, derisa 35 pacientë kanë vdekur. /Telegrafi/