Telegrafi

Kurti: Mbështetjen masive që po e gëzon kjo Qeveri do të tentojnë ta minimizojnë me fushata shpifëse

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka kërkuar nga bashkëpartiakët e tij që të jenë të vëmendshëm, pasi që sipas tij, do të ketë fushata shpifëse për ta minimizuar “mbështetjen masive” që po gëzon ekzekutivi i tij.

“Ne duhet të luftojmë për çdo votë besimi të qytetarit dhe t’i bindim ata që ne jemi të përkushtuar për të vazhduar rrugën tonë të ndryshimit që e kemi nisur, të mirë qeverisjes dhe transformimit rrënjësor të mirëqenies së qytetarit. Njëmend, shumica dërmuese e popullsisë vazhdon të na mbështesë, së paku sa në pranverën e vitit 2021 e mbase edhe më shumë se aq. Por, për zgjedhjet e ardhshme që të gjithë fillojnë nga vija që shënon numrin zero…”

“Ne duhet të jemi të vëmendshëm që këtë mbështetje masive që po e gëzon aktualisht Qeveria e Kosovës nga qytetarët e pa shmangshëm edhe LVV si drejtuese e saj, do të tentojnë siç edhe janë duke tentuar, që ta zbehin dhe minimizojmë përmes formave nga më të ndryshmet e më së shumti e më së shpeshti përmes fushatave dhe shpifjeve të pavërtetave dhe nxitjeve dashakeqëse”, theksoi Kurti, transmeton KP.

Në këtë këshill, Kurti shprehu mirënjohjen e tij për këto vite bashkëpunimi me presidenten e Vjosa Osmani, me partinë “Guxo” dhe subjektin tjetër politik Alternativën.

Ai përmendi se në zgjedhjet e ardhshme do të jenë sërish bashkë në garë.

“Me Guxo dhe Alternativën do të jemi bashkë në koalicion ashtu siç kemi qenë bashkë në fushatë, në fitore, në qeverisje. Së bashku sërish në një listë për zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Kryeministri Kurti para bashkëpartiakëve të tij foli edhe për përparim dhe progres gjatë qeverisjes së tij.

“Po ashtu kemi rritur dy herë pagën minimale…Pra, rritjen ekonomike dhe zhvillimin social nuk e kemi bërë në kurriz të procesit demokratik, përkundrazi. E më tej ky progres demokratik nuk është realizuar sepse Serbia na la të qetë. Pasi që ne iu nënshtruam asaj duke ia marrë listën serbe në koalicion, duke ia dhënë  ‘Zajednicen’ apo premtuar rininë e Kosovës nën petkun e shkëmbit territorial siç patën bërë pararendësit tanë në ekzekutiv. Përkundrazi, kërcënimet më të mëdha të sigurisë, tentimet më të rënda për destabilizim i kishim pikërisht ne. Mu kjo rritje ekonomike dhe përparim demokratik. Barrikadat, dorëheqjet kolektive dhe sulmet e dhunshme në veri për të shkaktuar vakuum apo kaos e zgjerim të konfliktit që të gjitha dështuan. Andaj, pas tri viteve e gjysmë themi me krenari se patëm edhe rritje ekonomike, edhe progres demokratik edhe siguri për të gjithë”, potencoi Kurti.