Telegrafi

Në kërkim të trupave dhe armatimeve, policia patrullon me njësitin e qenve në zonat malore të Banjskës

Policia e Kosovës është duke patrulluar me njësitin e qenve K9 në zonat malore të fshatit Banjskë të Komunës së Zveçanit, për të identifikuar trupa potencial të vdekur të grupit terrorist gjatë ikjes nga dita e diel pas sulmit në veri.

Lajmin për telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Ndryshe, mëngjesi i hershëm i së dielës e gjeti Banjskën e Zveçanit nën sulme të një grupi serbësh prej më shumë se 30 personave të armatosur rëndë, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku si dhe u plagos pjesëtari i policisë, Alban Rashiti.

Sipas informacioneve zyrtare gjatë këtij sulmi katër terroristë mbetën të vrarë.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka arrestuar  tetë persona ku katër prej tyre u liruan të mërkurën në mungesë të provave, pasi ishin arrestuar në distancë të largët nga vendi i sulmit. /Telegrafi/