Site icon Telegrafi

Në kërkim prej kohësh, arrestohet shpërndarësi i drogës në Tiranë

Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili akuzohet për shitje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë, janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, të cilën dyshohet se ky shtetas e ka siguruar në Krujë.

Kështu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Qereka” ka rënë në pranga 25-vjeçari me inicialet F.B., banues në Tiranë, ndaj të cilit rëndon vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ndaj tij është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”.

“Tiranë/Finalizohet pas disa muajsh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Qereka”. Vihet në pranga një 25-vjeçar i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë periudhës hetimore, janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, të cilën dyshohet se ky shtetas e ka siguruar në Krujë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Qereka”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se 25-vjeçari, pasi siguronte në Krujë, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, e shpërndante më pas në doza, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Tiranës. /Telegrafi/

Exit mobile version