Një kafene në Kaliforni po prodhon atë që e quan kafeja më e shtrenjtë në botë – me një çmim prej 75 dollarë vetëm për një filxhan.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për kafenenë “Klatch Coffee” e cila po shërben kafe të bërë nga kokrrat ekskluzive të quajtura “Elida Natural Geisha 803”, në degët e saj në Kaliforninë Jugore dhe San Francisko.
Bëhet fjalë për kafenë e cila në një ankand të fundit fitoi çmimin e garës për kafenë më të mirë në Panama, ka thënë Bo Thiara, bashkëpronar i degës së Klatch në San Francisko. Ai e quan konkurrencën vjetore të barasvlefshme të botës së kafesë me atë të Oscarëve.
Gjatë një ankandi, çmimi i bimës në fjalë thuhet të ketë arritur në 803 dollarë për pound (0,45 kilogramë), prej nga edhe e ka marrë shtesën “803” në emërtimin e saj.
Vetëm rreth 45 kilogramë kafe e tillë thuhet të ketë qenë në dispozicion për blerje dhe shumica shkuan në Japoni, Kinë dhe Tajvan, tha Thiara.
Klatch siguroi 4.5 kilogramë, nga e cila pritet të prodhojë 80 filxhanë kafe, dhe është zinxhiri i vetëm në Amerikën e Veriut që ta ketë atë.
Kështu, disa adhurues dhe fatlumë thuhet se tanimë kanë provuar kafenë, njëri prej të cilëve ishte banorja e San Franciscos, Lauren Svensson, e cila ka thënë se ishte “shumë ndryshe” nga çdo kafe që ajo kishte shijuar ndonjëherë. /Telegrafi/