Familja Kroenke ka hedhur poshtë bisedimet se Arsenali është në shitje mes raporteve se një ofertë për blerje është duke u përgatitur për klubin anglez.
Pronarët e Topçinjve janë vënë nën presion nga tifozët që nga projekti ‘fatkeq’ i Superligës Evropiane.
Situata e krijuar nga Superliga Evropiane ka bërë që të rriten zërat për shitjen e klubit, ku interesimi për blerje nuk mungon.
Pronari i Spotify, Daniel Ek ka deklaruar se është gati ta blejë klubin londinez, ndërsa u përfol së ai është në bashkëpunim me legjendat e Arsenalit për ta bërë këtë.
Por, përkundër zhurmës, familja Kroenke këmbëngulin se nuk po mendojnë të largohen nga Emirates Stadium.
“Në ditët e fundit kemi vërejtur spekulime të medias në lidhje me një ofertë të mundshme për shitjen e Klubit të Futbollit Arsenal”, kanë thënë fillimisht Stan dhe Josh Kroenke në një deklaratë të lëshuar të martën mbrëma.
“Ne mbetemi 100 për qind të përkushtuar ndaj Arsenalit dhe nuk po shesim asnjë pjesë në klub. Ne nuk kemi marrë asnjë ofertë dhe nuk do të argëtojmë asnjë ofertë”.
“Ambicia jonë për Arsenalin mbetet të konkurrojë për të fituar trofetë më të mëdhenj në lojë dhe fokusi ynë mbetet në përmirësimin e aftësisë konkurruese në fushë për ta arritur këtë”, përfunduan letrën familja Kroenke. /Telegrafi/