Telegrafi

Në intervistën e re, Harry ‘thumbon’ familjen mbretërore: Nuk janë përpjekur asnjëherë të pajtohen me mua dhe Meghanin

Foto: Getty Images

Princi Harry akuzoi familjen mbretërore britanike se nuk kishin treguar ‘absolutisht asnjë vullnet’ për t’u pajtuar me të dhe gruan e tij, Meghan.

Ai theksoi se vëllai i tij, William, nuk e përfshiu atë në planet për të vizituar gjyshen e tij, Mbretëreshën Elizabeth II, gjersa ishte në momentet e fundit përpara se të vdiste.

Duka i Sussex të gjitha këto deklarata i bëri në një intervistë, që u transmetua mbrëmjen e së dielës, në të cilën po ashtu foli për autobiografinë e tij të titulluar “Spare”.

Princi Harry (Foto: Getty Images)

Në një intervistë për ITV, Harry ka dhënë edhe shumë detaje të tjera tronditëse në lidhje me familjen mbretërore.

Kur u pyet nga intervistuesi Tom Bradby nëse vëllai i tij, William dhe Kate nuk shkuan mirë me Meghanin që nga fillimi, Harry tha se ata nuk e prisnin kurrë që ai të hynte në një lidhje me dikë që ka pasur një karrierë të suksesshme.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Princi Harry

I njëjti gjithashtu akuzoi disa anëtarë të familjes, të cilët ndanë informacione private me tabloidët britanikë.

Harry vuri në pah se kur e prezantoi Meghanin me familjen e tij, babai i tij fillimisht e pëlqeu atë, por William nuk është se ishte dakord dhe se e kishte quajtur me tallje si ‘një aktore amerikane’, duke shtuar se anëtarët e tjerë ishin gjithashtu të shqetësuar.

Harry u hap edhe për traumën me të cilën u përball pas vdekjes së nënës së tij, Dianas dhe tha se për disa vite, ai refuzoi të pranonte se ajo kishte vdekur në të vërtetë.

Duka i Sussexit, i cili në librin e tij thuhet se ka pranuar se ka përdorur kokainë dhe marihuanë, po ashtu zbuloi se ai konsumonte psikedelikë për të ndihmuar në atë që të kuptonte apo përballonte vdekjen e të ëmës.

Harry dhe Meghan u larguan nga jeta mbretërore në vitin 2020. /Telegrafi/