Telegrafi

Në Gjakovë u protestua për arrestimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morina – u kërkua lirimi i tij

Protesta paqësore e organizuar sot nga OVL-UÇK për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, mblodhi me dhjetëra protestues, në Gjakovë.

Në një postim në rrjetin social në Facebook të faqes zyrtare të Komunës së Gjakovës, thuhet se i pranishëm në këtë protestë ishte i pari i Komunës, Ardian Gjini i cili u shpreh i mllefosur për arrestimin e Morinës, nga autoritetet maqedonase.

Siç thuhet në njoftim, Gjini ka bërë thirrje para protestuesve që Tomor Morina të kthehet në familjen e tij.

“Secili prej nesh e kemi sot një mllef dhe me plot të drejtë. Është e pakuptimtë që ende njëzet vite pas lufte, ata që kanë kryer krime kërkojnë të na dënojnë. Tomorin e duam sa më shpejtë në mesin tonë, në familjen e tij e mes miqve”, ka thënë Gjini.

Ai po ashtu tregoi bisedat që ka zhvilluar kryeministri i vendit me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut dhe siç tha ai shumë shpejtë gjithçka do të konkretizohet.

Ndryshe, në këtë protestë të organizuar nga OVL-UÇK morën pjesë qytetarë të shumtë, familjarë e bashkëluftëtarë të Tomorit.

Ndryshe, Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina javën e kaluar është ndaluar nga policia e Maqedonisë së Veriut në kalimin kufitar Bllace me kërkesë të Serbisë në Interpol me akuzën “krim ndaj njerëzimit” dhe autoritetet e shtetit maqedonas i kanë caktuar paraburgim prej 30 ditësh, për të pritur faktet e Serbisë për këtë rast. /Telegrafi/