Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka shpërndarë gjatë këtij vitit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara nga 20 përqindëshi në shumë prej 8.7 milionë euro.
Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ekrem Hajdari ka thënë në emisionin “Përballje” se fondi i privatizimit ka arritur në 785 milionë euro.
“Në vitin 2017 kemi paguar diku afro 8 milionë e 700 mijë euro si shpërndarja për 20 përqindëshit e ish-punëtorëve dhe afër 7 milionë tjera kreditorëve të tjerë që kanë pas kërkesa kreditore të këtyre aseteve që kemi shitur. Deri më sot janë mbledh mbi 785 milionë euro në fondin e mirëbesimit-privatizimit. Prej tyre kuptohet janë shpërndarë punëtorëve, kreditorëve etj”, tha ai.
Hajdari ka thënë se deri në fund të vitit në fondin e privatizmimit do të jenë 476 milionë euro.
Ai ka treguar se kanë propozuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për AKP-në, ndryshime këto që do të mundësonin zhbllokimin e një pjese të fondit të privatizimit. /Telegrafi/