Telegrafi

Në dy operacione, tre të arrestuar për trafikim me njerëz dhe detyrim prostitucioni

Në dy operacione policore të realizuara në rajonin e Gjilanit dhe të Pejës janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’.

Në rastin e parë të realizuar në rajonin e Gjilanit janë arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin e bazuar për kryerje të veprës penale mundësimi apo detyrimi në prostitucion dhe veprës kundërvajtëse marrje me prostitucion.

Personat e dyshuar të përfshirë në rast janë: V. A. 1972 dhe V. I. 1991.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari i parë është ndaluar për 48 orë, për veprën penale “mundësim apo detyrim në prostitucion”, ndërsa ndaj të dyshuarës numër dy është bërë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse (në procedurë të shpejtë) në Gjykatën Themelore në Gjilan/Divizioni për Kundërvajtje, dhe ndaj saj gjyqtari ka shqiptuar dënim me gjobë.

Ndërsa, në rastin e dytë të realizuar në rajonin e Pejës është intervistuar viktima e rastit të trafikimit dhe ka rezultuar se e njëjta është trafikuar nga e dyshuara femër D. S, 1997.

Viktima është intervistuar në prezencën e mbrojtësit të viktimave dhe punëtorit të qendrës për punë sociale, e cila ka pranuar strehim në strehimore për viktima të trafikimit. E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit mbahet në ndalim policor për 48 orë.