Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe njëherësh kandidati nga radhët e Partisë Demokratike, Sali Berisha, e nisi ndryshe ditën e heshtjes zgjedhore.
Ai publikoi në faqen e tij zyrtare në Facebook një fotografi të super yllit me famë botërore, Kim Kardashian.
Bëhet fjalë për një imazh ku Kim pozonte me dy gishtërinjt e ngritur lartë, e që njihet përndryshe si simbol i demokratëve.
Duke shfrytëzuar gjestin artikulues të demokracisë që Kim ka bërë rastësisht në këtë fotografi, Berisha vendosi që ta ndajë imazhin e saj me ndjekësit e tij të shumtë në rrjetin social Facebook.
Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë madje nuk ka nguruar që ta quajë Kardashianin një “divë të botës”.
“Një mirëmëngjes special nga diva e botës Kim Kardashian”, shkroi Berisha në mbishkrimin e fotografisë së Kim, të cilën ajo e kishte publikuar në Instagram pak ditë më parë me mbishkrimin “Mirëmëngjesi botë”.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri përndryshe do të mbahen këtë të diel më 25 prill. /Telegrafi/