Nga: Visar Zhiti
T’rrëzuemin due tá çoj nga balta;
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’qi kerkojn’ Dritën…
Ernest Koliqi
Shkrimtari Ernest Koliqi ka datëlindjen dhe ka dhe një dramë, të dyja s’kujtohen në atdheun e tij ashtu siç meritojnë, as datëlindja dhe as drama, ndoshta nga të njëjtët dhe për të njëjtat shkaqe.
Drama, “Rrajët lëvizin”, m’u nëpërmend veçmas tani, që, si asnjë vepër letrare në të gjithë perandorinë komuniste, parashikoi rënien e komunizmit në Shqipëri, aty nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, por nuk parashikoi dot shëmbjen e Teatrit Kombëtar në vitin 2020, të atij teatri modern, që u përurua në kohë lufte, më 1940, kur vendi ishte nën pushtimin fashist italian e Koliqi, nga shkrimtar i shquar, do të bëhej dhe ministër i arsimit.
Diktarura komuniste e dënoi me vdekje në mungesë. Drama e tij kurrë nuk u vu në skenë as pas rënies së komunizmit, ndërsa datëlindja e tij dhe po përmendej, por mes polemikash.
Të shpresohet që teatri i ri të kujtohet për dramën e Ernest Koliqit, është drama e përbotshme e Shqipërisë.
* * *
Vepra koliqjane, tregime, poezi, përkthime, studime, antropologji etj., i tejkalon vdekjet e saj, atë të sajën, që do të ishte e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe atë që ia dhanë, vdekjen si dënim, prandaj, sipas sentencës latine, mund të themi se ajo tashmë i është vënë udhës së ringjalljes e jo vetëm të vetvetes. Duke e parë të (ri)botuar, mbase duket jo aq e shumtë, por rëndësia e saj është e jashtëzakonshme dhe cilësia po ashtu. Ajo është me kuptimin e plotë e vetëzgjedhur, për të mos bërë firo, por përkundrazi, të rritet si vlerë. Koliqi është shkrimtar i klasit të parë, që bashkë me Mitrush Kutelin, janë themelues në letërsinë shqipe, të tregimit modern.
Ja si e përcakton shkrimtari tjetër i shquar, Martin Camaj: “Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare dhe themelues i prozës moderne.”
* * *
Maji është muaji kur ka lindur dhe Ernest Koliqi; pikërisht data 20 e vitit të tretë të shekullit të kaluar, teksa Shqipëria përgatitej të dilte nga robëria otomane, rrënueshmërisht e gjatë.
Njeri me dije të gjera, vizionar, mbartës i traditës mbi shpinë, i parakes, mbrujtës i risive, modernes, stilist i zoti, qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjeksore maleve të Veriut, krijues imazhesh dhe portretesh, njohës i konflikteve, i filozofisë së tyre, i brengave dhe i gazit, ashtu si dhe i rrugëve njerëzore si të ishin rrugë të qytetit të tij, Shkodrës, me kambana dhe minare, me ëndrra e traditë e pengesa, por dhe me piano e piktura e serenata nate, me miqësitë e dramat, që e bëri emblemë të veprës së vet, i derdhi prarime si një lloj ari, që ndërkohë ishte dhe e artit të tij dhe, megjithëse u përpoqën më vonë për ta errësuar, vazhdimisht përndritej edhe më shumë…
Ernest Koliqi, ngado që shkonte, i kthehej Shkodrës, si qytetar i saj dhe si vokacion i veprës, duke e ribërë kështu si Itakën e vet. Është mik me më të kulturuarit, bashkëpunëtor, duke qenë vetë një i tillë, organizohet nëpër shoqata, shkon në Kroaci, kthehet së bashku me librin e tij me novela “Hija e maleve”, risi e paparë deri atëhere, punon si mësues në Vlorë, prapë në Shkodër, boton librin e dytë me tregime “Tregtar flamujsh” ndër më të mirët në Ballkan, ndikon dhe te Migjeni e më pas shkon në universitetin e Padovas, laureohet për letërsi, mbron Diplomën me tezën “Epika popullore shqiptare”, gjë që entuziazmon albanalogët më të shquar të kohës, boton libra të tjerë, poezi, përkthen më të mëdhenjtë, etj, etj.
Në fillimet e Luftës së Dytë Botërore ai emërohet dhe Superior i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës dhe po atë vit, më 1939, caktohet ministër i arsimit, kur Shqipëria është e pushtuar nga fashistët italianë. Koliqi bëhet kështu kolaboracionist…
Çështja e kolaboracionizmit
Pikërisht kolaboracionizmi do të bëhet shkaku i dënimit të shkrimtarit Ernest Koliqi nga fitimtarët pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dënohet ai si person dhe vepra e tij, të dyja me vdekje. Koliqi në mungesë, sepse mbarimi i luftës e gjeti në Itali, ndërsa vepra e tij ishte e pranishme fuqishëm në letërsinë shqipe. Shteti Italian nuk e ktheu Ernest Koliqin për ta vrarë bashkatdhetarët e tij, përkundrazi, kurse vepra e Koliqit, u ndalua, u hoq nga të gjitha bibliotekat, nga të gjitha tekset, u fut në fondin e zi, u grumbullua, u nis me roje në fabrika letrash për t’u rickluar në letër të bardhë e karton dhe së fundmi dënohej dhe lexuesi i tij i fshehtë. Nuk duhej të flitej më për të, duhej të harroj patjetër, duhej zhbërë.
Kolaboracionizmi me fashizmin është çështja më e rëndë dhe më e errëta që rroposi Ernest Koliqin dhe vega ku kapen dhe sot dhe i japin të drejtë vetes për ta sulmuar shkrimtarin, për ta mënjanuar e për të mos e lënë të çmohet ashtu siç duhet.
Kanë të drejtë, mund të thotë kushdo e mund të sjellë përvoja dhe shembuj nga vende dhe kultura të tjera ku janë dënuar edhe shkrimtarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesin si nobelisti danez Knut Hamsun apo poeti amerikan Ezra Paund, madje ketë të fundit e mbyllën dhe në një kafaz në Piza për ta parë gjindja, për fjalimet e tij në radio në mbështetje të Musolinit. Natyrisht që të dy kanë zënë vendin e merituar në letërsinë e vendeve të tyre dhe asaj botërore, falë dhe apelit që kanë bërë kolegët e tyre kudo.
Në vendin tonë nuk ka ndodhur kështu dhe s’kishte se si. Por, unë dua të shtroj pyetjet: A ka qenë Ernest Koliqi kolaboracionist me pushtuesin në dëm të vendit të tij? Ai e thirri pushtuesin apo e zuri pushtimi? Kujt i shërbeu, të huajit apo popullit të tij dhe kombit? Po që ka që nuk janë lidhur me pushtuesin, madje dhe e kanë luftuar dhe mund ta kenë dëmtuar atdheun shumë e shumë më tepër?
“Çështja Koliqi” duhet parë me seriozitet dhe përgjegjësi në mënyrë që të zërë drejtësisht vendin e vet në kujtesën kolektive, në histori dhe kulturë dhe në ndërgjegjen kombëtare.
Na rezulton se Koliqi nuk ka punuar në dëm të Shqipërisë? Jo dhe jo, përkundrazi. Pushtuesin nuk e solli ai, as nuk i hapi udhë me apele e himnizime, por ama nën pushtim ai punoi, edhe me pushtuesin duke shfrytëzuar ato kushte që i dha historia për kulturën kombëtare, për përparimin e saj në dobi të kombit.
Emërimi i tij si ministër i arsimit në kohën e pushtimit fashist ka arsyet dhe shkaqet e veta. Më së miri mund ta shpjegojë kjo që dëshmojnë studiues dhe biografë se Koliqi pyeti Poetin Kombëtar Gjergj Fishtën që a ta pranonte këtë post. Fishta është vërtetuar me fakte që nuk ishte fashist, mosprovues i fashizmit, refuzues i dekoratave të tij politike, por akademik në Akademinë italiane adhurues i asaj kulture, prandaj dhe propaganda e mëpastajme do ta sulmonte ashpër, pa mëshirë dhe pa të drejtë. Gjergj Fishta i tha Ernest Koliqit që më mirë të bëhej ai ministër, se mund të bente diçka të dobishme për vendin se sa ndonjë tjetër, që mund të ishte vegël e verbër. Edhe diçka tjetër, studiuesit tani na kanë treguar se kryeministri Mustafa Kruja – Merlika në kabinetin e tij përzgjidhet patriotë me prirje antifashiste. Janë çështje e detyra të studiuesit për t’u qartësuar pëfrundimisht.
Është fakt se me nismën e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi u përhap institucionalisht dhe në Kosovë arsimi shqiptar, duke u çuar atje prej tij 200 mësues nga më të përgatiturit, nga “normalistët” e famshëm, ndërkohë ai hap atje dhe të parën shkollë të mesme, pikërisht më 1941, kur këtej, si një hakmarrje e gjëmë, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë duke e braktisur Kosovën.
Pyes përsëri se kush kanë qenë kolaboracinistë më të dëmshëm për vendin, ata që s’kishin ç’t’i bënin të huajit që vinte si pushtues apo ata që dolën në krye të vendit e punonin për të huajin në dëm të vendit, për të ruajtur postet e tyre të larta? Po shkrimtarët që himnizuan diktaturën, diktatorin, sistemin, miqësitë dhe aleancat politike me të huajt, që shpesh nuk kanë qenë në interesin kombëtar.
Mbarimi i Luftës e gjen Ernest Koliqin të ikur po në Romë me punët e albanologjisë, duke iu mbyllur rrugët e kthimit në atdhe përgjithmonë. Italia nuk e ktheu Koliqin që kërkohej në atdhe si fashist, kur fashistët vetë po dënoheshin pas përmbysjes së tyre dhe në Itali. Madje, gjyqet po dënonin për krime dhe shqiptarë të ikur, që e kishin luftuar fashizmin në male.
Azilantit politik Ernest Koliqi i jepen mundësirat e shpalosjes së mëtejshme, madje duke e nderuar dhe dekoruar. Ai nuk do të rreshtë së punuari, bashkëpunon me të arratisurit politikë, p.sh, me poetin Martin Camaj, me intelektualët arbëreshë, harton antologjira të poezisë mbarëkombëtare, përkthen nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, themelon katedra e revista, ndër më të vyerat “Shejzat” e tij, bashkon diasporën, ringjall botën arbëreshe, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan dhe do të ndikojë fshehtas edhe në letërsinë shqipe.
Ndërsa këtej ishte vendosur realizmi socialist dhe po dilnin romanet moderne që nisën me “Qyteti i fundit” i Petro Markos, çuditërisht roman i dashurisë dhe i urrejtjes, prandaj dhe do të ndalohej. Por, po në atë vit në Romë, më 1960, Koliqi porsa kishte botuar romanin e tij “Shija e bukës së mbrume”, ku rrëfen jetën e të mërguarit, por që si e gjithë letërsia e të ikurve, nuk do të lejohej të hynte në atdhe. Më pas do të ecej për tek romani botëror “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë.
Por, do të ishte Koliqi që do të jepte mesazhin më largpamës në të gjithë letërsinë e Lindjes, parashikimin e rënies së perandorisë komuniste me dramën e habitshme “Rrajët lëvizin”, e cila ende nuk është ngjitur në ndonjë skenë të teatrove tona, as të Shkodrës dhe harrohet shpesh dhe tani.
Në dhjetor të vitit 1975, Ernest Koliqi vdes pa pritur në Romë, duke ndërprerë shumë punë, por duke lënë një opus të një rëndësie të lartë. Në ceremoninë mortore marrin pjesë kolegë shqiptarë, arbëreshë e italianë, miq nga SHBA-të, nga Turqia, Suedia, Gjermania Perëndimore, Franca, Belgjika, etj. Ndërkaq dhe vepra të tij janë të përkthyera dhe në gjermanisht, italisht, anglisht, arabisht, greqisht, etj. Prehet në Varret e Monumentale në Romë, pranë prindërve të tij, të shoqes, ku pak më tej është dhe varri i poetit anglez Persi Bishi Shelli. Mbi mermer vazhdimisht gjenden lule të freskëta…
* * *
Vepra e Ernest Koliqit ishte caktuar të zhdukej ashtu si dhe vetë autori që qe shënjuar të vritej për shkaqe të tjera jashtletrare, megjithëse mund të besohet se përveç ideologjisë sunduese këtij aktit iu bashkëngjit dhe ambicia ndjellakobëse e shkrimtarëve të fitimtarëve, e atyre të socrealizmit, të cilat kanë ndikuar dhe ndikojnë ende në mënjanimin e tij të padrejtë.
Altari i një shkrimtari është gjuha e tij. Gjuha e Koliqit, në dialektin shkodran, është një jetë e madhe fjalësh, semantikë plot shpirt, dritë dhe hove, prajshmëri e urti, etj, etj, që sa herë ta lexojmë, krahas mrekullimit, përftojmë dhe dëshpërimin për standartin dhunues të gjuhës në diktaturë.
Solli aq dritë e iu dha aq terr. Koliqi arriti të japë drithërimat e ndjesitë e holla të njeriut, me delikatesë e elegancë e me stil të përkryer, lirik i pashoq. Po aq mirë sa ç’rrëfen një ngjarje, rrëfen dhe një ndjenjë, një imazh, bën një portret, vëzhgues i jetës brenda shtëpisë dhe jashtë saj, nuk i shmanget dramës, sidomos asaj së brendshmes, ku bien hijet e së shkuarës dhe rrezet e së ardhmes, shkodran, shqiptar, ballkanik, evropian i vërtetë. Sikur gdhend me filigran e argjend.
Gjithsesi edhe pse harrimi si dënim dhe keqkuptimet me Koliqin duket sikur vazhdojnë, është kuptuar borxhi që i kanë atij kolegët dhe lexuesit, historia e letërsisë shqipe, kultura jonë në përgjithësi e çështja kombëtare, se prej tij vetëm është marrë, pa iu kthyer tërësisht ajo që meriton, hijesorja e shkrimtarit themeltar.
Rrëfime për vëllezërit Koliqi
Ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar:
Një si mace e bardhë kacavjerrej në dritare dhe luante me perden pa zhurmë. Loja e dritës. Dinia më tregoi si kishte mësuar t’i binte fizarmonikës me Dom Mikel Koliqin. Pse vjen ai prifti tek ti? – e pyeste operativi. Më mëson “Marshin turk” të Moxartit. Pse s’të pëlqejnë marshet tona ty? – më thanë në gjyq. Fizarmonika u shit për bukën e gojës. Nëna s’duroi dot burgun tim dhe plasi nga marazi…
Dom Mikeli i lëvizte gishtat sikur të kishte pranë një piano të padukshme. Megjithëse i moshuar, dilte në të ftohtë, mes dimrit, dëgjonte nga altoparlanti pranë qendrës së emulacionit te lëmi i fshatit muzikë, të dielave Radio Tirana jepte Rondo-kapriçiozo të Sen Sansit. Të kujtohet zëpërhapësi në shtyllën e burgut?… Kur e arrestuan Dom Mikelin, i thanë dhe për kufjet që mbante në vesh, bëje sikur dëgjoje muzikë, por t’i kishte dërguar nga Italia me barnat Ernest Koliqi, ishin aparat transmetues… armik… lidhje me jashtë e tërci-vërci… Vonë pastaj, kur ra diktatura e Dom Mikeli doli nga burgu, Papa e bëri kardinal. I pari kardinal shqiptar. Vinte nga Ferri…
(nga burgologjia “Ferri i çarë”)
Tjetri në Sanremo:
…Po ta them, që të ndjellim fat sa më të bukur për ty. Dëgjo. Dikur, shumë vite më parë, kishte punuar dhe një shqiptar tjetër në Sanremo, shpërndante lule me kamion. Ishte i arratisur politik, bashkë me të vëllanë, shkrimtar i ndaluar tek ju, por i njohur, Ernest quhej, mbiemrin se si e kishte… Koliqi, ia priti Martini. Po, bravo! Vëllai i Ernest Koliqit, pra, ishte shpërndarës lulesh. Niset nga Sanremoja me kamion për t’i çuar, s’di se ku. Ndal te një vend i bukur, me shtëpitë në kodër dhe do që të takojë një vajzë të bukur, që ai e pëlqen, duhen, do t’i japë lulen e saj siç e ka bërë zakon. Ndërsa ngjitej kalldrëmit përpjetë, dëgjon kambana. Merr vesh se ajo ka vdekur papritur dhe këmabanat po bien për të. Dhe ai sjell kamionin aty dhe zbraz të gjitha lulet mbi të vdekurën. E mbuloi. Dhe e la atë punë e nuk u martua kurrë. Mos u trishto. Ta thashë, se është histori e bukur. Ty tani të pret tjetër gjë, të shkarkosh lulet në dasmën tënde…
(nga romani “Në kohën e britmës”)
Ernest Koliqi në sytë e nxënësit të tij, Peof. Elio Miracco, Shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë:
Koliqi kishte një raport të ngushtë me studentët, dinte të dallonte momentin e profesorit akademik gjatë leksioneve e momentin i këshilltarit si një baba. Pas studimeve lidhte edhe miqësi me studentët e këtu do të përmend një studente të Koliqit, Emilia Blaiotta, që vite më vonë si drejtoreshë e shkollës në Frasnitë, e ka nderuar duke i dhënë shkollës emrin e tij. Kjo ngjarje sqaron marrëdhëniet e Koliqit me studentët që e respektonin si profesor por edhe si njeri.
Kujtoj ende leksionet të cilat më kanë udhëhequr drejt njohjes së letersisë shqiptare e nëpërmjet të cilave ne studentët jemi dashuruar me Shqipërinë e përfytyruar në letërsi. Koliqi, ulur pranë tryezës së madhe e rrethuar nga studentët, pinte duhan e recitonte poezi të poetëve shqiptarë; asnjëherë s’kemi dëgjuar poezitë e veta, por i lexonim në Shêjzat ose në veprat e tij. Na ka çuar në Rilindje me De Radën, Frashërin e Fishtën pastaj në letërsinë e pavarsisë. Kishte një ligjërim magjepsës që tërhiqte vëmendjen e të shpinte në malet e Shqipërisë, në Shkodër, në veri e në jug me autorët e veprat. Kujtoj, ndër të tjera, prezantimin e Migjenit me drejtpeshimin e kritikut letrar e vetëdijen e poetit që nuk përziente politikën në gjykime, kështu kurrë politika nuk ka ndërhyrë në problematikën letrare. Koliqi na paraqiti Migjenin të cilit nga ajo kohë ende i kujtoj vargjet e poezisë Të lindet një njeri.
Më kujtonte poetët bohemë italianë ose “Scapigliati”(1860-1890) që shprehnin antikonformizëm duke iu afruar Rimbaud-it e admiruar Baudelaire-in. Ndërsa poetika moderne e Koliqit dallonte traditat negative e traditat pozitive, duke çmuar këto të fundit si rrënjët e vlerave të popullit. Për jetën e Koliqit ishim në dijeni se ishte në mërgim për probleme politike, por asnjëherë nuk na ka rrëfyer kalvarin e jetës ose të familjes në Shqipëri. Pasi mbarova studimet kam pasur tjetër raport, shkencor e privat. Më ka ngarkuar të mbledh tekstet gojore në katundet arbëreshe në provincën e Katancaros.
Por, ishte tjetër kohë, në gazeta, në libra lexoja mbi Koliqin dhe jetën në Shqipëri. Ishte koha kur regjimi komunist fillonte të ftonte arbëreshë në Shqipëri e dalëngadalë shumë miq arbëreshë i kthyen krahët vetëm për një ftesë në vendin komunist.
Kronologji e jetës dhe veprës së Ernest Koliqit:
1903: Lind në Shkodër më 20 Maj.
1918: Shkon në Itali për studimeu. Themelon në Bergamo të përjavshmën studentore “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton dhe vjershat e tij të para në italisht.
1921: Kthehet në Shqipëri, forcon miqësinë me Luigj Luigj Gurakuqin. Fiton konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar me juri: At Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri e Luigj Gurakuqi.
1923: Bëhet anëtar në Shoqërinë “Bashkimi” të Avni Rrustemit. Largohet nga Atdheu dhe boton poemthin “Kushtrimi i Skandërbeut”.
1929: Në Zarë të Dalmacisë, Kroaci, boton vëllimin e novelave “Hija e maleve”.
1930-1933: Arsimtar në Vlorë e Shkodër.
1932: Boton vëllimin I të përkthimeve me titull “Poetët e Mëdhenjë, t’Italisë” (Dante, Petrarka, Aristoteli e Taso).
1933: Boton librin e vjershave “Gjurmat e stinëve”.
1934: Bashkëpunon me të përkoshmen “Illyria”.
1935: Boton librin e dytë me novela “Tregtarë flamujsh”
1935: Boton vëllimin e II të antologjisë “Poetët e Mëdhenjë, t’Italisë”
1937: Përfundon studimet Universitare dhe doktoron në Padova me temën: “Etika popullore shqiptare”.
1939: Emërohet Ministër i Arsimit. Mbështet botimin e dy vëllimeve të rëndësishme “Shkrimtarët shqiptarë” e “Visaret e Kombit”. Emërohet titullar i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.
1940: Organizon në Tiranë kongresin e studimeve shqiptare me pjesmarrjen e studiuesve më të njohur nga vendi dhe bota.
1941-1942: Dërgon në Kosovë 200 mësues për hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe (deri në Novi Pazar, ish qytet shqiptar)
1947: Boton në fletorën “L’Albaniae Libre”.
1957: Me dekret të kryetarit të Italisë Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe e Universitetit të Romës nderohet duke u bërë Institut i Studimeve shqiptare për meritë të drejtuesit të saj Koliqit. Boton në Firencë në dy gjuhë, shqip dhe italisht, vëllimin “Poezia popullore shqiptare”. Themelon revistën kulturore, letrare e shkencoret “Shejzat”.
1959: Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” italisht, teksa nxit arbëreshët të ruanë gjuhën dhe identitetin kombëtar të tyre.
1960: Boton romanin “Shija e bukës mrame”, me temë mërgimin.
1961: Përkthen në italisht poemthin e Ali Asllanit “Dasma shqiptare”.
1962: Përkthen në italisht këngën e 26-të të “Lahutës të Malcis” të Gjergj Fishtës.
1963: Boton “Pasqyrat e Narçizit” dhe “Antologji e lirikës shqipe” në italisht, ku përfshihen dhe poetë nga Kosova për herë të parë.
1965: Boton monografinë për Shqipërinë “Albania”.
1967: Në Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë ndalohet me ligj feja duke u shpallur vendi i parë dhe i vetëm në botë ateist dhe shëmben tempujt e fesa, kasha, xhami teqe, etj
1970: Boton poemthin “Simfonia e shqipeve” dhedramën “Rrajët lëvizin”, ku profetizohet rënia e komunizmit.
1971: Përkthen italisht nga “Lahuta e Malcis” episodin e Marash Ucit (kangët 12–13–14–15).
1972: Boton një përmbledhje shkrimesh e kumtesash “Saggi di Letteratura Albanese”.
1973: Vazhdon në italisht “Lahuta e Malcis”, episodin “Oso Kuka” (kangët 2–3–4–5).
1975: Vdes papritmas në Romë më 15 Janar dhe varroset më 18 Janar po në Romë.
* * *
Vepra e plotë e Ernest Koliqit është botuar së pari në Kosovë, edhe gjatë kohës së komunizmit, dhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit, kurse revista “Shejzat” fillojë të ridalë këto vitet e fundit nën kujdesin e Ardian Ndrecës, filozof dhe antropolg, poliglot dhe përkthyes, autor i shumë botimeve, i mërguar dhe ai si Ernest Koliqi në Itali, professor në Universitetin Urbanian t:e Romës.
2020: Në Tiranë shembet natën Teatri Kombëtar, ku ishin gjurmë dhe hija dhe e Ernest Koliqit së bashku me shumë intelektualë, shkrimtarë dhe artiste të tre epokave, ajo e Luftës së Dytë Botërore ose e pushtimit, e diktaturës komuniste dhe e postdiktaturës, në përpjekjet për një Shqipëri Demokratike.