Para pak ditësh lexova një shkrim të Elona Casllit, që më mbeti gozhdë në mendje. Rasti e kishte sjellë që autorja të gjendej në sallë, ditën e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë dhe të bëhej dëshmitare e “shkëmbimit” midis një studenti dhe Kryeministrit të vendit.
Studenti i ishte drejtuar Kryeministrit për t’i thënë se kjo diplomë ishte në fakt biletë për të ikur në Gjermani. Kryeministri, në vend të një përgjigjeje prej kryetari të Qeverisë, kishte përdorur gjithë talentin e tij për ta fyer e poshtëruar të riun. Për më keq, ka urdhëruar edhe rojat ta nxirrnin jashtë me përdhunë studentin. Salla e madhe ka qenë e mbushur me studentë dhe prindër, të cilët e kanë lënë vetëm guximtarin.
Vëmendjen e Elona Casllit në këtë pamje nuk e tërheq arroganca e Kryeministrit, e cila në këtë rast nuk është një përjashtim, por tipar përcaktues i sjelljes së tij ndaj atyre që përpiqen t’i thonë sadopak të vërtetën. Vëmendjen e Elona Casllit e tërheq mungesa e vetëdijes qytetare të dy brezave të pranishëm aty në sallë – etër dhe bij – përballë kësaj arrogance. Ajo arrin në përfundimin se prindër “të dorëzuar” nuk lindin bij të revoltuar.
Elona Caslli ka vënë gishtin me kthjelltësi në një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare, që edhe mua personalisht më dhemb shumë. Unë bëj pjesë në brezin e prindërve në fjalë, ku përfshihen studentët e dhjetorit 1990. Sa për të dhënë një shembull: Unë kam lindur vetëm pesë vjet përpara Azem Hajdarit. Mbetem i bindur se ky brez, si asnjë brez përpara tij qysh nga themelimi i shtetit shqiptar, me atë që bëri gjatë atij dimri zanafillor 1990-1991 tregoi disa cilësi morale të mrekullueshme të cilat, sinqerisht, as ne vetë nuk e dinim se i kishim, duke u bërë kështu thellësisht frymëzues për mbarë shoqërinë shqiptare. Kjo është e vërteta të cilën e ka shënuar tashmë historia në panteonin e saj. Por, po kaq e vërtetë, fatkeqësisht, është edhe tabloja e sotme, që përshkruan me fjalët e përshtatshme Elona Caslli. Mua më dalin një mori pyetjesh, për të cilat shpesh nuk kam përgjigje, por që ndihmojnë ndoshta për të kuptuar çfarë mallkimi e ka prekur këtë brez, që e ka humbur kështu shkëlqimin.
Pyetja e parë, më e thjeshta e më e natyrshmja, është: A është brezi im i kënaqur me Shqipërinë e Edi Ramës? Nëse po, atëherë sjellja publike e këtij brezi përkundrejt pushtetit do të ishte të paktën formalisht e ndershme. Por, mua nuk më rezulton kështu. Përkushtimi ndaj shkrimit mua më lë pak kohë për të dalë. Pra, nuk mund të bëj ndonjë përgjithësim statistikor nisur nga vëzhgimet e mia. Por, me aq sa takoj, ndër të cilët edhe socialistë, madje edhe deputetë socialistë, miq të vjetër, nuk më ka qëlluar as edhe një i vetëm këto vitet e fundit, i cili të më shprehet qoftë edhe disi i kënaqur me qeverisjen e Edi Ramës dhe aq më pak me metodën e tij qeverisëse. Dua të them se, me aq sa shoh unë, brezi im është shumë i pakënaqur. Bisedat midis nesh nëpër tavolina janë as më pak e as më shumë, por vrer. Atëherë, përse në publik hesht ky brez, shfaqet “i dorëzuar”?
Pyetja tjetër, në vazhdim të së parës, është: Mos vallë e kemi humbur ne vetëdijen dhe kurajën për të kundërshtuar të keqen? Nëse kjo ka ndodhur, duhet kërkuar doemos shkaku. Sepse do të ishte një humbje shumë e madhe, e dyfishtë. Nga një anë, do të ishte një humbje personale njerëzore për secilin nga anëtarët e këtij brezi. Nga ana tjetër, do të ishte thyerje dramatike, lënie në mes e misionit përparues dhe emancipues të një brezi përkitazi me shoqërinë dhe me kombin. Veçanërisht, kjo do të ishte e rëndë për brezin tonë, që fati na e ka sjellë të kryejmë një revolucion unikal për Shqipërinë. Megjithatë, fakt është se, ashtu siç Elona Caslli e ka vërejtur, këto vite ne po sillemi si “të dorëzuar”.
Një vëzhgues i jashtëm, pa u menduar dy herë, mund të thoshte për ne se po sillemi ndaj të keqes së përbashkët si brez i trembur. Po nga se mund të kemi ne frikë? Çfarë mund të jetë frika e sotme krahasuar me kërcënimin që kishim mbi kokë më 8, 9, 10 e 11 dhjetor 1990 kur dolëm në rrugë? Ne kishim përballë Sigurimin famëkeq, një Polici dhe një Ushtri, të gjithë të stërvitur një jetë e të ndërsyer për të goditur pa mëshirë “armikun e brendshëm”. Atyre u hanin duart për të bërë mbi ne, nëpër sheshet dhe rrugët e Tiranës, atë që kishin bërë pak kohë më parë sivëllezërit e tyre kinezë në sheshin “Tien An Men” të Pekinit. E kemi për kollaj të përmendim fëmijët. Por shumica prej nesh kishin fëmijë edhe në dhjetor 1990. Madje, ende fare të vegjël, krejt të pambrojtur. Vetë Azem Hajdari kishte dy fëmijë. Sidomos neve nuk na lejohet ta përligjim frikën tonë me ekzistencën e fëmijëve.
Apo kemi ndryshuar mendim për rrugën, nëpër të cilën vendi dhe kombi ynë mund të shkojnë përpara? Nëse ka ndodhur kjo, ne mirëfilli kemi tradhtuar motivin themeltar të lëvizjes sonë të dhjetorit 1990 e që ishte për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Evropa”. Sepse rruga e Shqipërisë për në Evropë është po ajo e dikurshmja, me kushtin e patjetërsueshëm për ta kundërshtuar deri në pikën e fundit pushtetin e molepsur me të keqen, qoftë ky pushtet edhe i zgjedhur me votë popullore. Të keqen e këtij pushteti ne e kemi përditë përpara syve: i korruptuar deri në palcë, i lidhur me krimin e organizuar, arbitrar si gangster, dhunues i të drejtave të njeriut. Ku është brezi ynë përballë kësaj të keqeje? Apo jemi bërë indiferentë ndaj fatit të shoqërisë e të atdheut? Nëse ka ndodhur kjo, atëherë kemi zgjedhur mënyrën më të palavdishme për ta mbyllur rrugën tonë jetësore, të nisur me aq madhështi në dhjetor 1990. Po kaq e padenjë për ne do të ishte edhe humbja e besimit në vete si kundërshtues të pakompromis të së keqes politike. Një humbje e tillë e besimit në vete apo te dobia e kundërvënies ndaj pushtetit të keq, do të tregonte se në fakt ne, si brez, nuk paskemi mësuar asgjë nga fitorja jonë e dhjetorit 1990. Dekoratat e ndritshme, si për shembull “Pishtar i demokracisë”, që mbajnë shumë prej nesh, nuk tregojnë më kush jemi ne sot.
Më del edhe një pyetje, më pak torturuese se pyetjet e mësipërme, por të cilën ia vlen ta shtroj: A jemi ne tashmë në pafuqi fizike apo edhe mendore për t’u rebeluar? Edhe pse të paktë janë ata që kanë mbërritur moshën e pensionit, fakt është se më të shumtët prej nesh sot janë bërë gjyshër. Vetë Azem Hajdari do të ishte bashkë me ne sot si gjysh i një mbese të ëmbël. Por a shënon kjo etapë e jetës sonë bjerrjen e fuqive fizike apo edhe më keq, atyre mendore? Bashkëshortja ime, Donika, ka bërë para disa kohësh një film dokumentar me titull “Gjyshër të rinj”. Ajo tregon aty se brezi ynë (gjyshër) vazhdon të jetë në krye të punëve në kuptimin më të gjerë të fjalës. Madje, edhe në ekonominë familjare, më së shpeshti jemi ne burimi më i rëndësishëm i të ardhurave. Është një shembull në dukje i thjeshtë, por i mjaftueshëm për të treguar se ne nuk na ka lënë aspak takati. Pra, nuk jemi “të dorëzuar” për shkak të pleqërisë.
Atëherë, çfarë ka ndodhur në zemberekun e orës sonë, që na ka ulur kaq poshtë?