Telegrafi

Në bisedë me presidentin e Këshillit Evropian, Kurti ritheksoi angazhimin për dialog të përgatitur mirë me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të Qeverisë, Presidenti Michel e uroi kryeministrin Kurti për fitoren impresive në zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe për marrjen e detyrës së kreut të qeverisë.

Në prag të vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel, Presidenti i Këshillit Evropian Michel i shprehu mirëseardhje në kryeqendrën e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Michel për prioritetet e qeverisë, e që mbizotërohen nga menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi sa më i shpejtë i dozave të reja të vaksinave. Këtu, ai e falënderoi presidentin Michel për mbështetjen e BE-së në sigurimin e dozave të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX.

Kryeministri Kurti nënvizoi synimet e qeverisë në investime të reja që ofrojnë vende të reja të punës dhe reformat në drejtësi, si pjesë e luftës kundër korrupsionit.

Në fund të takimit, kryeministri Kurti ritheksoi angazhimin e qeverisë për një dialog të përgatitur mirë ndërmjet Kosovës e Serbisë. /Telegrafi/