Shkencëtarët belg të dielën raportuan se një grua e moshuar kishte vdekur nga COVID-19 pasi ishte infektuar me variantet Alpha dhe Beta në të njëjtën kohë.
“Kjo është një nga rastet e para të dokumentuara të bashkë-infeksionit me dy variante shqetësimi të SARS-CoV-2”, ka thënë bilogia molekulare Anne Vankeerberghen, autore e studimit të lëshuar nga Kongresi Evropian i Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive (ECCMID).
Gruaja 90-vjeçare vdiq në mars pasi u shtrua në një spital në qytetin belg të Aalst pas disa “goditjesh”.
Ajo nuk ishte vaksinuar kundër COVID-19 dhe doli pozitive për sëmundjen pas mbërritjes në spital, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sidoqoftë, ajo “zhvilloi me shpejtësi simptoma të përkeqësimit të frymëmarrjes dhe vdiq pesë ditë më vonë”, tha deklarata.
Sipas Dr. Vankeerberghen, “është e vështirë të thuash nëse bashkë-infeksioni me dy variante luajti një rol në përkeqësimin e shpejtë të gjendjes së pacientit”.
Gjatë testimeve dhe sekuencave të gjera, spitali zbuloi se ajo ishte infektuar me dy variante: Alpha, i cili fillimisht erdhi në Britani, dhe Beta, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut.
“Të dy variantet po qarkullonin në Belgjikë në atë kohë, kështu që ka të ngjarë që zonja të ishte infektuar nga dy persona të ndryshëm. Për fat të keq, ne nuk e dimë se si ishte infektuar”, ka thënë tutje Dr. Vankeerberghen.
Të dy variantet u raportuan për herë të parë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në dhjetor të vitit të kaluar dhe që atëherë janë përhapur në më shumë se 40 vende të botës. /Telegrafi/