Telegrafi

Në 50-vjetorin e UP-së, Thaçi: Ky institucion dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 50-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, ka uruar të gjithë studentët, profesorët dhe gjithë stafin akademik.

Thaçi tha se Universiteti i Prishtinës ka luajtur një rol historik në ngjalljen e vetëdijes kombëtare dhe politike në tri dekadat e fundit të shekullit të kaluar, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për liri e pavarësi.

“Universiteti i Prishtinës luajti rol historik në ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare dhe politike në tri dekadat e shekullit të kaluar. Ky institucion i dijes dhe rezistencës dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Thaçi.

Presidenti shprehu respekt e konsideratë për të gjithë ata që përmes UP-së ndikuan pozitivisht edhe në rrafshin kombëtar, politik e shoqëror.

“Në 50 vjetorin e themelimit shprehim respekt dhe konsideratë të thellë për të gjithë pedagogët, drejtuesit, punëtorët dhe studentët që kontribuuan në forma të ndryshme, jo vetëm në forcimin e dimensionit themelor akademik të UP-së, por edhe të ndikimit të tij pozitiv në rrafshin kombëtar, politik dhe shoqëror”, shkruan ndër të tjera Thaçi.

Postimi i plotë:

Sot Universiteti i Prishtinës kremton 50 vjetorin e themelimit.

Gjysmë shekulli jetë akademike në shërbim të emancipimit, arsimimit dhe modernizimit të shoqërisë sonë.

Universiteti i Prishtinës luajti rol historik në ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare dhe politike në tri dekadat e shekullit të kaluar.

Ky institucion i dijes dhe rezistencës dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në 50 vjetorin e themelimit shprehim respekt dhe konsideratë të thellë për të gjithë pedagogët, drejtuesit, punëtorët dhe studentët që kontribuuan në forma të ndryshme, jo vetëm në forcimin e dimensionit themelor akademik të UP-së, por edhe të ndikimit të tij pozitiv në rrafshin kombëtar, politik dhe shoqëror.

Sot, kur shënohet solemnisht 50 vjetori i UP-së, studentëve, profesorëve dhe gjithë stafit akademik iu shprehim urimet më të sinqerta me besimin se fillimi i gjysmë shekullit vijues do të jetë edhe më i suksesshëm në sfidat e Kosovës së shekullit 21. /Telegrafi/