Telegrafi

Në 41-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Osmani dhe Konjufca priten në Dubovik nga Donika Gërvalla  

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca u pritën sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik.

Në 41-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Osmani tha se mbajnë të skalitur skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut.

Lexoni të plotë postimin e presidentes:

Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.

Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!

Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët. /Telegrafi/