Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ua ka konfiskuar patentë shoferët 76 drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme të rregullave në trafik.
Sipas njoftimit, Policia ka realizuar patrullime parandaluese por edhe pika të kontrollit për automjete në trafikun rrugor në funksion të shtimit të masave për rritjen e sigurisë në trafik.
“Gjatë 24 orëve të kaluara nga zyrtarë policorë janë kryer aktivitete në teren me qëllim që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat në trafik”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim theksohet se janë realizuar 547 pika kontrolli të automjeteve, me ç’rast 76 shoferëve u janë konfiskuar patentë shoferët.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve por edhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik që të jenë vigjilentë dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga Ligji mbi trafikun rrugor në mënyrë që secili të kontribuojë në zvogëlimin e statistikave të aksidenteve rrugore.