Site icon Telegrafi

Në 23-vjetorin e rënies heroike të Ilaz Kodrës, Kurti bëri homazhe te Kompleksi Memorial në Marinë

Në 23 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë homazhe dhe vendosi lule të freskëta te Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë, të Skenderajt.

Sipas një njoftimi për media thuhet se Ilaz Kodra, pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, më 22 shtator të vitit 1998, u caktua komandant i kësaj brigade, e njohur më vonë si Brigada 114, “Fehmi Lladrovci”, Zona Operative e Drenicës, pra sipas emrit të komandantit të saj të parë. Ai dha jetën duke i mbrojtur civilët e fshatit Verbovc e Shtuticë.

“Në prill të vitit 1999, teksa forcat e Serbisë pushkatonin e kryenin masakra kundër popullsisë civile shqiptare, ato goditeshin nga aeroplanët e NATO-s dhe ushtarët e UÇK-së. Në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt po zhvillohej luftë e ashpër për çlirim e mbijetesë. Në vitin 1991, Adem e Hamëz Jashari, Ilaz Kodra e bashkëluftëtarë të tjerë, kaluan kufirin me Shqipërinë duke u futur ilegalisht, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’u armatosur. Ishin këto fillet e organizimit të asaj që më vonë njihet si Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version