Telegrafi

Në 23 vjetorin e masakrës së Lybeniqit, Kurti: Drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 23 vjetorin e masakrës në Lybeniq të Pejës, ku forcat serbe ekzekutuan 80 persona.

Kurti ka thënë se “më 1 prill të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, njësitë paramilitare serbe të udhëhequra nga grupi ‘Çakejt’, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit Lybeniq të Pejës”.

“Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, i ekzekutuan mbi 80 persona në mënyrën më mizore. Në mesin e të masakruarve kishte burra, gra e fëmijë. U vra edhe një foshnje 18 muajshe. U vra, masakrua dhe u zhduk edhe një grua shtatzënë”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Më tej Kurti ka shkruar se “në mesnatën e 1 dhe 2 prillit 1999, në Gjakovë, u masakruan mbi 60 burra, gra e fëmijë. Anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, bashkë me shtëpi u dogjën të gjallë e të vdekur. Në mesin e vrasësve kishte edhe fqinjë të tyre”.

“Drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë. Nuk i harrojmë kurrë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/