Telegrafi

Në 19 vjetorin e LVV-së, Kurti: E falënderoj popullin që na mbështet aq shumë

Kryeministri i vendit Albin Kurti, në 19 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje,  ka thënë se ky përvjetor Lëvizjen e gjen si subjektin më të madh në Republikën e Kosovës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar 19 vitet e ecjes politike të LVV-së, e cila sot është partia kryesore në vend.

“Sot, Lëvizja jonë mbush 19 vite që prej kur është themeluar. 19 vjet Lëvizje, 19 vjet ecje, 19 vjet përpjekje e angazhim për të lënë gjurmë të thella në historinë politike të vendit tonë”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai ka shkruar se kjo ecje nuk ka qenë as e shkurtër as e lehtë, por bindjet e thella, qëndrimet e drejta, vizionin e qartë dhe me popullin në krah kanë bërë që, sipas tij, lëvizja, progresi, rritja të jenë rezultati.

“19 vjetori LVV-në e gjen si subjektin më të madh në Republikën e Kosovës që po ashtu qeveris edhe me vendin në përputhje me orientimin tonë socialdemokrat”, ka shkruar Kurti, i cili me rastin e këtij përvjetori ka falënderuar popullin që i mbështet shumë.

“Në këtë 19 vjetor, sikurse çdo përvjetor tjetër, sikurse i falënderoj 60 mijë e 500 anëtarët e aktivistët e Lëvizjes që nuk rreshtin duke punuar çdo ditë gjithandej vendit tonë. Urime!”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/