Telegrafi

Ndryshon ligji për prodhimet bio në Shqipëri

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri ka inicuar disa ndryshime tek prodhimet organike apo që njihen ndryshe si “bio”.

Në një draft të hedhur për konsultim publik, argumentohet se ligji ekzistues ka mangësi që lidhen me kontrollin e këtyre produkteve, çka bërë që të humbasë edhe besimi i konsumatorëve.

Për këtë arsye ministria ka parashikuar ti kushtojë një rëndësi të veçantë bujqësisë organike, madje duke e mbështetur edhe financiarisht.

Qëllimi është inkurajimi për shtimin e sipërfaqeve me prodhime bio, në kushtet kur kjo hapësirë në vendin tonë zë më pak se 1 % të sipërfaqes bujqësore.

Për ato produkte që do të tregtohen në vend në etiketë do të duhet të përfshihet edhe logoja kombëtare, ashtu sikundër ajo e Bashkimit Europian për produktet e importuara dhe të verifikuara për certifikimin bio.

Ndërsa për prodhimet që do të tregtohen në BE, kriteret janë ato të përcaktuara nga Brukseli.

Ata që kërkojnë të prodhojnë bio duhet të regjistrohen në e-Albania. Për ata që mashtrojnë me etiketimet si produkt organik, janë parashikuar gjoba nga 300 në 500 mijë lekë./Tv Klan