Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë marrë pjesë në shënimin e fillimit të pilotimit të skemës për reformën e asistencës sociale në Kosovë.
Kryeministri Kurti theksoi se gjatë qeverisjes së tij janë shënuar disa suksese, dhe se tani do të bëhen edhe reforma sa i përket asistencës sociale, transmeton Telegrafi.
“Dizajni i skemës aktuale sociale është diskriminues sepse në momentin që fëmija në një familje mbush moshën 5 vjeçare atij i është ndërprerë ndihma”, ka thënë ai.
Ndërsa, ministri Murati në fjalimin e tij tha se ndryshimi që po bëjnë është thelbësor, dhe se trajton çështjen e diskriminimit.
“Tash i trajton të gjithë anëtarët e familjes, që mund të punojnë apo jo. Ata që nuk mund të punojnë janë kategori ku mund të jenë prindër të vetëm, me aftësi të kufizuara, personi që kujdeset për dikë me aftësi të kufizuara, anëtarët nën moshën 18 vjeç, dhe gjithë anëtarët tjerë që nuk mund të aktivizohen në punë. Përndryshe, të gjithë të tjerët do të trajtohen si të aftë për punë”, u shpreh ai.
Ministri tha se skema e re është hapur sot dhe aplikimi duhet bërë përmes platformës e-Kosova.
“Familjet duhet të plotësojnë aplikimin, pastaj të dhënat merren dhe analizohen. Familja për anëtar duhet të merr më pak se 100 euro në muaj, pastaj do të bëhet testi i të ardhurave, testi i pasurisë. Do të bëhet vlerësimi i pasurisë që ka”, theksoi ai.
Ministria tha se pagesa do të bëhet çdo muaj, dhe se përgjatë kësaj kohe do të ofrohen edhe trajnime për personat që janë të aftë për punë.
“Synimi jonë është të nxitet punësimi dhe të krijohen të ardhura”./Telegrafi/