Partitë opozitare shqiptare dhe Qeveria e Maqedonisë ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese, të cilat, të mërkurën pritet të diskutohen në seancën e parë plenare të Kuvendit për këtë vit.
Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë dorëzuar disa amendamente përmes të cilave kërkojnë avancimin juridik të shqiptarëve në shtet, të bëhen popull shtetformues, gjuha shqipe të përcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të mos qëndrojë përkufizimi si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës si dhe në dokumentet personale të mos qëndrojë mbishkrimi “maqedonas/shtetas i Maqedonisë së Veriut”, por vetëm shtetas, pa përcaktimin maqedonas, apo nëse qëndron ky përcaktim atëherë edhe bashkësitë etnike të kenë të drejtën e përcaktimit, si “shqiptar/shtetas i Maqedonisë së Veriut”.
Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se do të bëjë gjithçka për të siguruar votat edhe të këtyre partive, por pa saktësuar apo komentuar kërkesat e tyre, për të cilat po bisedojnë grupi i ekspertëve të partisë së tij, LSDM dhe opozita shqiptare.
“Deri në momentin e fundit do të bëjë gjithçka që të sigurojmë dy të tretat e votave dhe këtë do t’ja kumtojmë opinionit në momentin e votimit dhe së bashku do të ndajmë kënaqësinë nga ajo që kemi arritur, apo do të bartim përgjegjësinë. Por, unë jam optimist para se gjithash për përgjegjësinë që e bartin të gjithë deputetët për këtë proces që kemi shansin ta përmbyllim me sukses”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë, kanë kritikuar qëndrimin e partive opozitare shqiptare duke kërkuar që të vënë në rrezik zgjidhjen e kontestit të emrit që zhbllokon procesin eurointegrues.
“Shërbimin më të keq që mund t’ja bëni shqiptarëve në këtë moment është që të prezantoni se shqiptarët janë ata që e pengojnë procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Nuk ka interes më të rëndësishëm etnik për shqiptarët se sa anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Ky është interes i të gjithë shqiptarëve në rajon”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për çështje evropiane.
Por, kreu i Qeverisë po përballet edhe me rrezikun e humbjes së votave nga tetë deputetët e përjashtuar të OBRM-PDUKM-së. Ata kanë bërë të ditur se vota e tyre mund të jetë kundër ndryshimeve nëse pranohen kërkesat e opozitës shqiptare, pasi sipas tyre heqja dorë nga përcaktimet që forcojnë identitetin maqedonas, rrezikojnë zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, të arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, që parasheh emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut.
Njohësit e çështjeve politike thonë se vendi ndodhet para një sfide të re para amendamenteve të paraqitura nga partitë opozitare shqiptare.
Analisti, Petar Arsovski beson se procesi mund të shpëtohet në gjetjen e një kompromisi të mundshëm, por jo edhe në lëshime që do t’i humbnin esencën marrëveshjes apo që do të rrezikonin votat e deputetëve të përjashtuar të OBRM-PDUKM-së që tani veprojnë si të pavarur.
“Nuk besoj se Zaevi do të bëjë lëshime për diçka për të cilën është marrë vesh me palën greke. Këtë nuk besoj se edhe lëvizja Besa mund ta kërkojë e kryeministri t’ja jap. Mendoj se kompromisi i vetëm që mund të bëhet është që të ketë lehtësime gjatë zbatimit të marrëveshjes së Prespës lidhur me ndonjë kërkesë të partive shqiptare”, thotë Arsovski.
Që të jetë e plotfuqishme, marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, por vetëm pasi më parë të jetë zbatuar tërësisht nga Maqedonia./Rel/