Telegrafi

Ndryshimet e TVSH-së varfërojnë edhe më shumë qytetarët

Reforma fiskale e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës po vlerësohet se do të ndikojë negativisht tek qytetarët. Këto ndryshime negative po përcillen me faktin se ulja e TVSH-së nga 16% në 8% për disa produkte bazë nuk do të kenë ndonjë efekt të madh, sikurse rritja nga 16% në 18% për mbi 100 mijë produkte.

Në këtë situatë vlen të theksohet se kjo reformë fiskale ka ardhur si nevojë e Qeverisë për rritje të të hyrave për arsye se në prag të zgjedhjeve ka marrë një vendim ad-hoc pa ndonjë arsyeshmëri financiare, për rritjen e shpenzimeve përmes rritjes së pagave për punonjësit e sektorit publik.

Hulumtuesi nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, Berat Thaqi në një intervistë për Kosovapress tregon arsyet se pse ky ndryshim do të jetë negativ për xhepin e qytetarit.

“Si pasojë e këtij veprimi të Qeverisë së Kosovës, të pamatur nga ana financiare, tashmë e kemi një situatë kur punëtorët e sektorit publik përfitojnë rritje të pagave, ndërsa të gjithë punonjësve tjerë të sektorit privat dhe atyre që janë të papunë, do t’u vështirësohet jeta, do t’ u rritet kostoja e jetës”, ka vlerësuar Thaqi.

Ulja e TVSH-së nga 16% në 8% do të përfshijë konkretisht disa produkte të caktuara si buka, mielli, orizi dhe disa shërbime tjera, si TVSH-në në energji, në shërbimet e ujit, do të jetë një përgjysmim i TVSH-së.

Por, sipas Thaqit, kjo do të ndikojë shumë pak në uljen e kostos së jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Nëse kjo ulje e TVSH-së nuk përcillet me uljen e çmimeve të tregtarëve atëherë ky ndryshim i TVSH-së mund të keqpërdoret sepse nuk ka ndonjë mekanizëm që mund t’i detyrojë tregtarët apo shitësit t’i ulin çmimet në produktet e tyre”, thotë Thaqi.

Sipas tij, krahas reformës fiskale për prodhuesit kosovarë është e domosdoshme që të bëhet edhe përmirësimi i sundimit të ligjit, sepse shumë shpesh reformat tjera pa përmirësim të ligjit, kanë pasur efekt zero.

Duhet theksuar se në mars të këtij viti Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim që të aprovojë disa reforma fiskale, ndër to edhe ndryshimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, ndryshimin e Ligjit për tatimin në korporata dhe ndryshimin e Ligjit për të ardhurat personale. /kp/