Telegrafi

Ndryshime në stadiumin ku do të luhet ndeshja Spanjë-Shqipëri

Estadio Jose Rico Perez

Kombëtarja Shqiptare do të luajë ndaj Spanjës në 6 tetor, ndërsa disa ndryshime kanë filluar të bëhen në stadiumin “Jose Rico Perez” ku do të luhet ndeshja.

Tapeti i stadiumit është ndrruar. Mediat spanjolle bëjnë me dije se punimet në stadiumin e qytetit të Alicantes kanë përfunduar dhe bari i ri është shtruar në fushë.

Pas tre ditëve punë, gjithçka është mbyllur sipas parashikimeve dhe tashmë deri në datën 6 Tetor, fusha pritet të jetë në gjendje optimale për sfidën eliminatore.

Pas një inspektimi të ditëve të fundit, drejtuesit e federatës spanjolle kishin vendosur që fusha t’i nënshtrohej riparimit total në mënyrë që asnjëra prej skuadrave të mos hasë vështirësi në duelin e parafundit eliminator.

Fusha e stadiumit ku luan ndeshjet e shtëpisë skuadra e Hercules nuk ishte ndryshuar që prej vitit 2010 dhe gjatë muajve të fundit situata ishte bërë problematike.

“AS” thekson se fakti që Spanja do të luajë në këtë stadium i ka nxitur drejtuesit të vendosin për të ndryshuar tapetin pasi 90 minutëshi ndaj kuqezinjve konsiderohet si shumë i rëndësishëm për të siguruar një biletë direkte për në Rusi 2018. Ndryshime janë bërë edhe në bankat rezerve të skuadrave.