Botërori i Katarit po afron dhe bashkë me të edhe emocionet e një kompeticioni që bëhet më i veçantë për faktin se do të luhet në dimër, një periudhë e pazakontë që do të shkaktojë edhe ndërprerjen e kampionateve.
Për shkak të periudhës kur do të luhet dhe faktit që vetëm 5 ditë para startit futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre, FIFA ka vendosur të miratojë kërkesën e përfaqësueseve për të rritur numrin e lojtarëve të grumbulluar.
Kështu, çdo skuadër do të ketë mundësi të marrë me vete 26 futbollistë në Katar, nga 23 që ka qenë numri i lejuar më parë, ndërsa lista e grumbullimit paraprak do të lejohet të jetë 55 futbollistë, nga 33.
Gjithashtu edhe në Katar 2022 do të aplikohet rregulli i zakonshëm tashmë, i pesë zëvendësimeve për ndeshje.
Ende nuk janë bërë publike ndryshimet në Botërorin e Katarit, por që padyshim se do të ketë ndryshime të ndjeshme. /Telegrafi/