Site icon Telegrafi

Ndryshe prej Netanyahut, presidenti izraelit thotë se ka marrëveshje me Hamasin

Marrëveshja e arritur me Hamasin është një “hap i rëndësishëm” dhe i domosdoshëm për t’i rikthyer pengjet, tha të mërkurën presidenti izraelit, Isaac Herzog, në atë që ishte konfirmimi i parë zyrtar publik izraelit i marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimit të pengjeve.

Herzog theksoi gjithashtu se zbatimi i saj do të sjellë sfida të mëdha, shkruan cnn.

“Kjo nuk është një situatë e thjeshtë; është ndër sfidat më të mëdha që kemi njohur ndonjëherë”, tha ai.

Lexo po ashtu Netanyahu: Ende nuk është arritur marrëveshja e armëpushimit me Hamasin

Presidenti izraelit premtoi se do të kthente të gjithë pengjet, duke pranuar se Izraeli kishte “dështuar në detyrën e tij” për t’i mbrojtur ata.

Herzog kërkoi që njerëzit të tregojnë ndjeshmëri ndaj familjeve të pengjeve, përfshirë ata që janë “thellësisht të pikëlluar” nga marrëveshja, duke u shqetësuar se të dashurit e tyre nuk do të jenë ndër 33 personat që pritet të kthehen në fazën e parë.

Presidenti izraelit falënderoi kryeministrin, Benjamin Netanyahu dhe ekipin negociator, duke i ofruar mbështetjen e tij. Ai u bëri thirrje qeverisë dhe kabinetit ta miratojnë marrëveshjen kur ajo t’u paraqitet.

Lexo po ashtu Çfarë dimë për armëpushimin dhe marrëveshjen e pengjeve mes Izraelit-Hamasit?

Herzog falënderoi gjithashtu ndërmjetësuesit Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe ekipin e tij.

Zyra e Netanyahut tha se kryeministri do t’i drejtohet publikut vetëm pasi marrëveshja të jetë “e mbyllur dhe e plotë”.

Ndryshe, marrëveshja duhet të kalojë fillimisht në kabinetin e sigurisë dhe më pas në kabinetin e plotë të qeverisë. Qeveria duhet gjithashtu të lejojë kohë për kundërshtarët e marrëveshjes që të parashtrojnë një peticion në Gjykatën e Lartë. /Telegrafi/

Exit mobile version