Telegrafi

Ndryshe nga deputetët e VV-së, Konjufca abstenoi në votimin e dy projektligjeve  

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten kanë miratuar në lexim të dytë dy projektligjet, atë për Pagat në Sektorin Publik si dhe Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Siç raporton Telegrafi, në të dy votimet e projektligjeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka abstenuar, arsyet e së cilës nuk dihen.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten mbajti një seancë plenare në të cilën me procedurë të përshpejtuar u votuan dy projektligje. Me 64 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim u miratu në lexim të dytë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa për Projektligjin për Zyrtarët Publikë, për votuan 58 deputetë të Kuvendit të Kosovës, asnjë kundër dhe 4 abstenuan.

Mes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar që mos të miratohen me nguti këto dy projektligje, ose në rast të kundërt siç thanë ata mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas prezantimit të Projektligjit për Pagat nga ana e Qeverisë, me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend. Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.

Ky Ligj i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/