Site icon Telegrafi

Ndriçohet Memoriali i Skënderbeut

Bashkia e Lezhës bën të ditur se po “vijon puna për rikonstruksionin e Memorialit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Aktualisht puna po përqendrohet në sistemin e ndriçimit.

Projekti i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës financohet nga Ministria e Kulturës, si pjesë e programit “Rrugët e Besimit”, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja qëndron në punimet restauruese në këtë monument, si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.

Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut. /ata/

Exit mobile version