Site icon Telegrafi

Ndotja e mjedisit, sfida e përbashkët e 61 kryebashkiakëve të Shqipërisë

Pavarësisht se kush do të jenë kryetarët e rinj pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, të 61 bashkitë në Shqipëri do të kenë si sfidë të përbashkët, që është ndotja e mjedisit.

Në “Forumin për Ndotjen 2023” të mbajtur në Tiranë, teksa ngritën shqetësimin për moskryerjen e matjeve, 31 organizata mjedisore e cilësuan ndotjen e ajrit si “rrezikun kryesor të shëndetit të shqiptarëve.”

“Kemi vënë re një përkeqësim në raport me një vit më parë. Grimcat e pluhurit të dukshme dhe të padukshme dhe dyoksidi i azotit tejkalon normat e ndotjes. Pas matjeve rezulton edhe se grimcat PM 2.5 kërcënojnë drejtpërdrejt shëndetin e popullatës”, u shpreh eksperti i Mjedisit, Rodion Gjoka.

Lexo po ashtu Zgjedhjet në Tiranë, gjashtë kandidatë garojnë për kryeqytetin

Pas vrojtimeve dhe analizave të kryera nga organizatat mjedisor rezulton se vetëm 14 për qind e ujit që derdhet në det i nënshtrohet pastrimit. Pjesa tjetër vijon të rrezikojë zinxhirin ushqimor e rrjedhimisht shëndetin e qytetarëve, raporton A2 CNN.

“Edhe këtu mungojnë kontrollet dhe analizat nga institucionet. Problematika lidhet sa me menaxhimin, aq edhe mosndëshkimin e ndotësve. Është rrezik potencial për shëndetin e njerëzve”, deklaroi ekspertja Valbona Mazreku.

Referuar të dhënave nga Instituti Europian i Statistikave, shqiptarët janë ndër popujt që paguajnë më shumë taksa mjedisore. Nga ana tjetër, thuajse të gjitha bashkitë i kushtojë pak vëmendje ndotjes duke shpenzuar vetëm një pjesë të vogël të buxhetit të tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version