Stacionet matëse të ministrisë së Ambientit Jetësor nga dita në ditë shënojnë nivel sa më të lartë të ndotjes së ajrit dhe përqendrim më të madh të grimcave kancerogjene PM10 dhe PM 2,5. Kumanova, Tetova, Manastiri dhe shumë komuna të Shkupit kryesojnë për nga ajri i ndotur. Autoritetet vendore ende nuk po gjejnë zgjidhjen e këtij problemi. Nga Qyteti i Shkupit thonë se po përgatiten për zbatimin e masave afatgjate por pa dhënë afat kohor se kur ata do të gjejnë realizim.
Qyteti i Shkupit do të bashkëpunojë me institucionet kompetente për zbatim të masave afatgjate kundër ajrit të ndotur të cilat nënkuptojnë ndryshime të ligjeve dhe akteve nënligjore, implikime serioze buxhetore të cilat duhet të definohen. Duke marrë parasysh atë se në Shkup ndotësi kryesor është ngrohja e amvisërive me ngrohja jo kualitative. Qyteti i Shkupit në programin dhe buxhetin e vitit të ardhshëm parasheh hapa për gazifikimin e qytetit i cili duhet të fillojë nga pjesët që nuk janë të kyçura në sistemin e ngrohjes- bëjnë me dije nga Qyteti i Shkupit.
Në Komunën e Çairit për momentin po bëhet pastrimi i rrugëve si masë e iniciuar nga Qyteti i Shkupit kundër ndotjes së ajrit. Kjo komunë është ndër të paktat në kryeqytet që nuk posedon stacion matës të ndotjes. Ata thonë se po planifikojnë instalimin e kësaj pike matëse dhe ndërmarrje të masave të tjera kundër ndotjes.
“Gjatë ditës së sotme është pastruar në territorin e Çarshisë së Vjetër dhe në Fushë Tophanë duke përfshirë këtu dhe rrugën ‘John Kennedy’ kurse ditën e nesërme do të pastrohet lagja e Gazi Babës, Seravës e deri në pjesën e Bit Pazarit. Kuptohet se dy ditë nuk janë të mjaftueshme për pastrim të përgjithshëm por qëllim i këtij aksioni është për një fillim të mbarë. Do të bisedohet për vendosjen e një matësi në komunën e Çairit dhe në koordinim me Qytetin e Shkupit do të kemi koordinim për ndërmarrjen e masave me qëllim minimizimin e kësaj problematike”, deklaroi Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.
Nga ana tjetër Enti për punë Hidrometeorologjike paralajmëron se nga dita e nesërme vendin e presin reshje dëbore dhe rënie e theksuar e temperaturave, gjendje e cila ndihmon pastrimin e ajrit të ndotur.
“Gjatë ditës së nesërme do të mbizotëroj kohë e vranët me reshje të kohë pas kohshme të borës në disa zona të vendit edhe atë në juglindje poashtu edhe në Shkup të mundshme janë reshjet e shiut dhe borës ndërkaq në pjesët tjerë të vendit do ketë reshje bore. Në orët e para të së martës do të ketë reshje bore ndërkaq gjatë pasdites nuk do ketë reshje edhe të mërkurën do jetë mot i ndryshueshëm ndërkaq të enjten do të kemi një mot me lagështi dhe me temperatura më të larta me reshje shiu të ralla. Nesër pritet rënie e theksuar e temperaturave madje deri në më pak se dhjetë gradë celsius”, tha Dushanka Tanushevska, Enti Hidrometeorologjik.
Shoqata të ndryshme joqeveritare shumë herë kanë dalë në protesta për të kërkuar nga autoritetet vendore zbatimin e masave afatgjate kundër ndotjes së ajrit, por deri më tani pavarësisht paralajmërimeve të shumta, nuk ka pasur asnjë hap konkret.
https://www.youtube.com/watch?v=vGnh9zYkGTY