Telegrafi

Ndoshta mund t’i mbijetojnë coronavirusit, por i pret diçka më e keqe – mbi gjysmë miliardi njerëz në botë do të varfërohen pas pandemisë

Epidemia e coronavirusit do të mund të shtynë mbi gjysmë miliardi njerëz drejt varfërisë, nëse nuk ndërmerren masa urgjente për shpëtimin e vendeve të varfra të goditura nga rënia ekonomike, paralajmëron Oxfam.

Kjo organizatë joqeveritare ka paralajmëruar se nga 6 deri në 8 për qind e popullatës në botë do të mund të ballafaqohet me varfërinë, pasi që qeveritë kanë “ndalur” ekonomitë me shpresën se kështu do të parandalojnë përhapjen e coronavirusit, transmeton Telegrafi.

“Në nivel global kjo do të mund t’i kthente vendet dhjetë vite mbrapa në luftën kundër varfërisë siç janë Afrika, Lindja e Mesme apo edhe Afrika e Veriut”, thuhet në raportin e kësaj organizate.

Oxfam gjithashtu paralajmëron se ekziston rreziku i madh që më shumë se gjysma e popullsisë në botë të bie nën kufirin e varfërisë pas pandemisë së COVID-19.

Raporti i organizatës joqeveritare është publikuar para takimit të Bankës Botërore dhe atij të ministrave të Financave në samitin e G-20-së. /Telegrafi/