Një aeroplan pasagjerësh ukrainas që transportonte 170 pasagjerë dhe ekuipazh është përplasur afër Teheranit vetëm disa orë pasi Irani nisi një sulm raketor në bazat amerikane në Irak në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qassem Soleimani.
Siç shkruan Daily Mail, përcjell Telegrafi, mediat shtetërore iraniane raportuan se fluturimi ndërkombëtar i linjës ajrore të Ukrainës International Airlines PS752 – Boeing 737 u rrëzua vetëm tre minuta pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Imam Khomeini, duke vrarë të gjithë 167 pasagjerët dhe nëntë pjesëtarët e ekuipazhit në bord.
Siç edhe mund të pritej, kanë filluar spekulimet se aeroplani u qëllua aksidentalisht nga ushtarakë të mbrojtjes ajrore iraniane sepse rrëzimi erdhi disa orë pasi Irani gjuajti 15 raketa balistike në bazat amerikane në Irak.
Të dhënat e fluturimeve tregojnë se Boeing 737-800 arriti në një lartësi prej 2500 metrash dhe më pas u zhduk papritmas.
Ndjekja e fluturimit përfundoi pas gjashtë minutash dhe ai po lëvizte me një shpejtësi prej 316 milje-në orë.
Disa pamje të publikuara më vonë nga agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, treguan zyrtarët e shpëtimit në një fushë, me ato që dukeshin se ishin pjesë të aeroplanëve që gjendeshin aty pranë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllime në një mesazh nga Omani.
“Lajm i tmerrshëm nga Lindja e Mesme. Këtë mëngjes, pasi u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini (Teheran), një aeroplan pasagjerësh i Ukraine International Airlines u rrëzua pranë aeroportit”.
“Sipas të dhënave paraprake, të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit u vranë. Ambasada jonë sqaron informacionin rreth rrethanave të tragjedisë dhe listave të viktimave”.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet dhe miqtë e të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit”, ka shkruar më tej ai.
Ndërkohë mediumi britanik, Daily Mail ka publikuar disa pamje të cilat thuhet se tregojnë momentin e rrëzimit të aeroplanit. /Telegrafi/