Përleshjet e dhunshme janë rikthyer këtë të shtunë në Paris, teksa mijëra protestues dolën sërish në rrugë për të 23-tën javë me radhë të marshimeve antiqeveritare, duke detyruar policinë të arrestojë më shumë se 100 demonstrues “jelekverdhë”.
Reporterë të medieve të huaja, veçanërisht “AFP”, kanë raportuar për përplasjet e dhunshme mes policisë dhe protestuesve gjatë pasdites, pas orëve të para të qeta të marshimit, ndërsa forcat e rendit përdorën edhe gazin lotsjellës dhe tymueset për të shpërndarë protestuesit në qendër të kryeqytetit francez.
Zyrtarë të policisë njoftuan për 126 të arrestuar dhe 11 mijë kontrolle individuale të protestuesve. Parisi duket se mbante peshën kryesore të protestave të kësaj të shtune, por edhe qytetet e tjera franceze ishin përgatitur për organizime të ngjashme demonstrative.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti francez Emmanuel Macron nënshkroi një ligj që u jepte forcave të sigurisë fuqi më të zgjeruara nëpër demonstrata, duke tërhequr kështu kritika se ai shkelte liritë themelore të njeriut.
Një prej masave ndalonte protestuesit që të mbulonin fytyrat, por Këshilli Konstitucionalist i Francës, autoriteti më i lartë kushtetues i vendit, refuzoi të jepte miratimin për një prej pjesëve më të kontestuara të ligjit në fjalë.
Kjo e fundit do t’iu jepte autoriteteve fuqinë të ndalonte nga demonstrata cilindo “individ që përbënte një kërcënim potencialisht serioz ndaj rendit publik”. Lëvizja e “jelekverdhëve” kërkon ndryshime drastike në politikat sociale dhe fiskale të qeverisë së Macronit.