Site icon Telegrafi

Ndikimi i pandemisë COVID-19, përfaqësuesit e biznesit kërkojnë konsideratë nga ATK për shlyerjen e obligimeve tatimore

Ndikimi i pandemisë COVID-19 mbi kompanitë e sektorit privat, si dhe ndikimet në obligimet e tyre tatimore, por edhe marrëdhëniet e përgjithshme me Administratën Tatimore të Kosovës, ishin në fokus të tryezës së diskutimit me drejtorin e përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se partneriteti i përfaqësuesve të sektorit privat me ATK-në është i rëndësishëm për operacionet e ndërmarrjeve të sektorit privat.

Ai po ashtu tha se roli i ATK-së është kyç edhe në menaxhimin e detyrimeve tatimore pas vështirësive financiare të shkaktuara si pasojë e pandemisë COVID-19.

Kurse, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj foli për rolin që ky institucion ka luajtur gjatë pandemisë në mbështetje të funksionimit të bizneseve, duke theksuar thirrjen e këtij institucioni për aplikim për faljen e borxheve tatimore.

Murtezaj foli edhe për nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit me ndërmarrjet private për luftimin e ekonomisë joformale.

Lexo po ashtu ATK: Do të marrim masa për ata që nuk paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale

Në anën tjetër, Ardiana Bunjaku, thesariste e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, si dhe drejtoreshë e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës shprehu shqetësimin për procesin e rishikimit të politikave tatimore si në aspektin kohor, por edhe të qartësimit paraprak të ndryshimeve të mundshme.

Gresë Rexhepi, kryesuese e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane dhe Menaxhere e Tatimeve në PricewaterhouseCoopers, po ashtu foli për rëndësinë e digjitalizimit të proceseve tatimore, gjë që ka ndikuar në rritjen e efikasitetit të deklarimit dhe pagesës së tatimeve por edhe në ngritjen e transparencës së përgjithshme.

Ajo tha se së bashku më anëtarët e Odës Amerikane kanë përgatitur rekomandimet për politikat fiskale të lidhura me periudhën paspandemike, por edhe rekomandime të tjera të përgjithshme.

Përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve ngritën çështjet që lidhen me funksionimin e sistemeve të Administratës Tatimore, por edhe me bllokimin e llogarive të tyre bankare gjatë periudhës tatimore, duke bërë thirrje për konsideratë nga ana e institucioneve shtetërore për shkak të vështirësive të tyre me të cilat përballen këto ndërmarrje tash e sa muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version