Site icon Telegrafi

Ndikimi i MSA-së, Berisha: Kemi 56 milionë euro më pak taksa

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), vendi ynë ka mbledhur 56 milionë euro më pak taksa.

Berisha tregon se krahasuar me vitin paraprak, MSA-ja ka ndikuar për 49 për qind më shumë.

“Normal që ndikim në të hyrat e Doganës ka edhe MSA-ja. Nëse flasim deri më sot, kemi 56 milionë euro më pakë taksa vetëm si ndikim i MSA-së, që është 49 për qind më shumë ndikimi se periudha e vitit të kaluar, por të njëjtën kohë kemi pasur edhe ndikim të politikave fiskale ku lëndët e para, apo të gjitha inputet që përdorën për prodhim janë liruar nga taksa. Edhe këtu efekti është diku 67 milionë, nëse e mbledhim të dyja janë 130 euro efekt në taksa që ka pasur. Normalisht efekti është se ka pasur efekt te prodhuesit kosovar, që i bënë më të fuqishëm dhe më konkurrent”, tregon Berisha.

Ai thotë se Dogana po performonë mirë, ku sipas tij, përkundër ndikimit të mbledhjes së akcizës nga lojërat e fatit dhe marrëveshjet e tjera tregtare.

“Dogana deri sot kur po flasim jemi te vlera një miliardë euro të hyra që ka mbledhur, 990 milionë euro më saktësisht, pra jemi 35 milionë euro më shumë se periudha e vitit të kaluar. Është një performancë e pritur, ashtu siç është planifikuar. Dogana vazhdon të tregojë performancë të mirë, kemi tani edhe dy muaj, sigurisht që do të kemi rreth 98 për qind e projeksionit, t’u i përfshi edhe këto lirimet që kanë ndodhur dhe efektet që ka pasur në të hyrat”, thotë ai.

“Ndryshim tjetër që ka ndodhur gjatë vitit, në të hyrat e Doganës ka qenë edhe ndalimi i lojërave të fatit, sepse Dogana e ka mbledhur akcizën nga këto, dhe ato kanë qenë të planifikuara rreth 18 milionë euro gjatë tërë vitit. Nëse kësaj ia shtojmë edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, që do të ketë një efekt jo shumë të madh tek këta muaj, tregon se Dogana është në një superperformancë në aspektin e të hyrave, e cila është në harmoni me rritjen ekonomike, marr parasysh që kanë ndikim MSA-ja, lirimet, marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe të gjitha”, shton Berisha.

Lexo po ashtu Një vit nga taksa 100 për qind, Berisha nga Dogana e Kosovës: Importi nga Serbia bie për 430 milionë euro

I pari i Doganës, në këtë intervistë ka thënë që nga vendosja e tarifës 100 për qind, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pakë në drejtim të vendit tonë.

Po ashtu, Berisha ka folur edhe për ekonominë informale dhe kontrabandën.

Kujtojmë se Marrëveshja e MSA-së ka hyrë në fuqi me 1 prill 2016, ku Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 për qind të produkteve të saja. 1,204 produkte apo 68.56 për qind janë liberalizuar menjëherë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes dhe në këtë grup janë 160 produkte bujqësore të cilat lirohen nga detyrimet doganore. Pjesa e mbetur prej 541 produktesh bujqësore do të liberalizohen brenda pesë, shtatë dhe dhjetë vjetësh pas hyrjes në fuqi të MSA-së.

Ndërsa, sa u përket produkteve industriale Kosova është pajtuar me Bashkimin Evropian që 4,763 apo 69.84 për qind nga 6,819 produkte të liberalizohen menjëherë, ku 1,740 produkte lirohen nga detyrimet doganore, ndërsa pjesa e mbetur e produkteve industriale do të liberalizohen brenda pesë dhe shtatë vjetësh pas hyrjes në fuqi të MSA-së. /Telegrafi/

Exit mobile version