Site icon Telegrafi

Ndikimi i luftës në Ukrainë mbi ekonominë e Kosovës

Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e inflacionit në Kosovë, edhe ashtu të lartë për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19, duke rënduar jetën e qytetarëve. Sipas një studimi të Institutit GAP, vetëm në periudhën janar-mars 2022, shkalla e çmimeve të konsumit ishte për 8.2 për qind më e lartë se në vitin 2021.

Ganiu, banor i Prishtinës, jeton në një lagje, jo larg qendrës së kryeqytetit. Punë të rregullt nuk ka, ndërsa me punë krahu arrin të sigurojë rreth 200 euro në muaj.

“Jam me gruan dhe djalin e kam në shkollë të mesme. Mjaft me vështirësi, mezi ia dalim”, thotë ai.

Rritja e çmimeve, si pasojë e pandemisë COVID-19 e posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë, ka vështirësuar jetën e Ganiut.

“Vërehet lehtësisht se kemi më shumë vështirësi tash, disa gjëra elementare duhet t’i blejmë, disa duhet edhe t’i lëmë. Më së shumti po e vërejmë te ushqimi, sepse rrymën po arrijmë ta kursejmë disi, ndërsa çmimet e gjërave ushqimore janë ngritur shumë”, thotë ai.

Banorë të tjerë të kësaj lagjeje i thanë Zërit të Amerikës se me gjithë përpjekjet, plotësimi i nevojave themelore të familjeve të tyre është bërë shumë sfidues.

“Me 100 euro që i marr ndihmë të pleqërisë, pension pleqërie asgjë tjetër nuk kam. Jetoj e vetme, jetoj këtu, çfarë të bëj, nuk e kam askënd. Unë për vete shpesh kam dëshirë të blejë ndonjë mollë, dardhë, tash kanë dalë edhe perimet, nuk kam me çka t’i blejë”, thotë Mymine Tatari.

“Të ardhurat mesatarisht mund të them i kemi 200 deri në 300 euro (në muaj), i menaxhojmë ashtu si mundemi. Shpresojmë që muajt e ardhshëm ndoshta lirohen çmimet e bëhet diçka”, thotë Milazim Abdullahu.

Sipas një studimi të Institutit GAP të publikuar së fundmi, vetëm në periudhën janar-mars 2022, shkalla e çmimeve të konsumit ishte për 8.2 për qind më e lartë se në vitin 2021.

Blendi Hysaj nga ky institut i tha Zërit të Amerikës se kjo ndodhur për shkak se Kosova është importuese e shumicës së prodhimeve, çmimet e të cilave janë rritur kohët e fundit.

“Andaj edhe zhvillimet të cilat ndodhin në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen drejtpërdrejtë edhe në Kosovë. Qëllimi i studimit ka qenë të identifikojë kanalet kryesore të transmetimit të situatës ekonomike në botë dhe Kosovë, ku më problematike ka dalur pjesa e energjisë elektrike, furnizimit me naftë por edhe konsumi i produkteve bazike”, tha ai.

Zoti Hysaj thotë se pritjet janë që në periudhën afatmesme të mos ketë stabilizim të çmimeve të konsumit.

“Politikat e qeverisë në një situatë të tillë nuk duhet të jenë pro ciklike apo që e nxisin konsumin meqë kjo mund të ketë efekt të kundërt në ekonomi. Pra qoftë duke ndërmarrë politika të tilla që ulin normat tatimore apo edhe ideja e injektimit të më shumë mjeteve në treg që në rastin e Kosovës mund të bëhet duke lejuar tërheqjen e kursimeve nga trusti i pensionit. Pra këto janë disa nga politikat që ne nuk rekomandojmë që qeveria t’i bëjë”, tha ai.

Në vend të kësaj, thotë zoti Hysaj, qeveria duhet të vazhdojë krijimin e politikave që ndihmojnë qytetarët që janë në gjendje më të rëndë ekonomike.

Pas pushtimit te Ukrainës nga Rusia, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rishikuar normat e rritjes ekonomike të shteteve, përfshirë edhe Kosovën, ku nga një parashikim fillestar për rritje ekonomike reale prej 4.5 për qind në vitin 2022, ajo tani është zbritur në 4 për qind. Ndërkohë Banka Botërore në raportin e saj të fundit parashikon rritje të shkallës së çmimeve prej 5.4 për qind./VOA

Exit mobile version