Site icon Telegrafi

Ndikimi i liberalizimit të vizave në tregun e punës në Kosovë – cilat industri do të preken më shumë dhe a do të shtohen kërkesat për rritje të pagave pas 1 janarit?

Më 1 janar 2024 qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, pasi për vite të tëra ishin të vetmit në rajon me regjim të vizave.

Megjithëse lëvizja e lirë nuk nënkupton mundësinë për emigrim, udhëheqësi i konsulencës për burime njerëzore, EPPC Shqipëria & Kosova, Erald Pashaj ditë më parë në një intervistë për Telegrafin ka thënë se emigrimi i qytetarëve do të ndikojë shumë në tregun e punës.

Sipas tij, pavarësisht se liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me të punuarit në vendet e Bashkimit Evropian (BE), qytetarët e shohin këtë si një liri, për të shkuar në perëndim dhe për të punuar.

Ai thotë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën po ndodh kur tregu i punës në të gjithë Evropën po lulëzon, pra ka mundësi për t’u punësuar.

Lexo po ashtu Pas janarit sfida të mëdha për tregun e punës në Kosovë, Pashaj rekomandon rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve

Kjo organizatë ditë më parë ka publikuar disa të dhëna nga një pyetësor që ka realizuar nga 12 deri më 31 tetor.

Nga të dhënat e publikuar nga 2,172 respodentë 45 për qind janë shprehur të interesuar për të emigruar jashtë vendit, 40 për qind nuk duan të emigrojnë, ndërkaq 15 për qind nuk kanë përgjigje.

Në këto të dhëna janë paraqitur edhe arsyet kryesore të emigrimit.

Prej tyre, 34 për qind do të emigronin për përmirësimin e cilësisë së jetesës, 19 për qind për një të ardhme më të mirë të familjes, 18 për qind për pagë më të lartë dhe 13 për qind për shkak të dëshpërimit me situatën ekonomike, sociale e politike.

Po ashtu, 11 për qind për shkak të mundësive më të mira të punësimit, 4 për qind për zhvillim në karrierë dhe 2 për qind për të pasur përvoja të reja.

Në të dhënat tjera publikuar nga kjo organizatë është edhe emigrimi në bazë të industrisë.

Shitje me shumicë dhe pakicë 55 për qind, hoteleri dhe gastronomi 52 për qind, prodhim 52 për qind, telekomunikacion 51 për qind dhe grupet tjera 48 për qind.

Në destinacionet kryesore për emigrim janë Gjermania me 56 për qind, Zvicra me 22 për qind, pastaj Austria, Norvegjia e Suedia.

Ndërkaq, sa i përket perspektivës së kompanive në Kosovë pas 1 janarit, 87 për qind theksojnë se liberalizimi i vizave do të ndikojë në tregun e punës.

Pas 1 janarit pritet të ketë qarkullim të stafit, rënie të aplikantëve në kompanitë që operojnë në Kosovë dhe rritje të kërkesave për ngritjen e pagave.

Sipas të dhënave të kësaj organizate 22 për qind janë përgjigjur se do të ketë qarkullim, 40 për qind kanë thënë se do të ketë rënie të aplikantëve në kompanitë që operojnë në Kosovë si dhe 64 për qind kanë pohuar se do të rriten kërkesat për ngritjen e pagave. /Telegrafi/

 

Exit mobile version